Kurti vizitoi vendpunimet e rrugës Kijevë – Zahaq, segmenti Kijevë – Dollc
I shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministri i këtij dikasteri, Hysen Durmishi, si dhe zëvendësministrat Taulant Kelmendi dhe Mentor Arifaj, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë paradites vizitoi vendpunimet e rrugës Kijevë – Zahaq, segmenti Kijevë – Dollc.
Ai u njoftua nga menaxherët e kontratave të tre loteve të këtij segmenti mbi ecurinë e punimeve. Kryeministri përshëndeti edhe falënderoi punëtorët dhe kompanitë për punën që po e bëjnë në realizimin sa më të shpejt të këtij projekti infrastrukturor me rëndësi të madhe për rajonin e Pejës.
Në javën e parë të muajit korrik u hapën procedurat për dorëzimin e ofertës për ndërtimin e Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, përkatësisht segmenti Dollc-Zahaq. Segmenti i kësaj rruge ka gjatësi totale 16.27km, e ndarë në 4 lote, me buxhet të planifikuar të projektit prej rreth 46 milionë €.