
Kurti viziton banesat sociale në Shipol dhe Dedi të Mitrovicës
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të hënën dy banesat sociale në Shipol dhe Dedi të Mitrovicës.
Kurti ka parë nga afër intervenimet për kthimin e banesave sociale nga ndërtesa të amortizuara në shtëpi të denja për jetesë të sigurt, të ngrohtë dhe të dinjitetshme.
“Nuk mjafton vetëm të hyjmë në ndërtesa për banim social e aty të ketë mungesë të sigurisë e të ngrohjes. Tash po realizohet kjo në kuadër të investimit të përbashkët me Bashkimin Evropian. Është diku rreth 6 milionë euro në 25 ndërtesa anembanë Kosovës. Këtu në Dedi të Mitrovicës janë 21 familje, gjithsej ishin rreth 1700 metra katrorë dhe shpresoj që veteranët, invalidët, rastet sociale, nënat vetushqyese do të kenë kushte më të mira edhe për jetë për familjet e tyre, për fëmijët e tyre sidomos dhe për përparimin e gjithmbarshëm që ato e duan, po edhe ne ia dëshirojmë e angazhohemi”, është shprehur Kurti.
Dy ndërtesat në Shipol dhe Dedi që janë të viteve 2003 dhe 2005, kanë mbetur pa izolim të duhur, dritare efikase dhe ngrohje adekuate. Tashmë falë investimit prej 381,622 euro për këto dy objekte, do të përfundojnë para vjeshtës dhe do të ndryshojnë jetën e 39 familjeve dhe 173 banorëve të Mitrovicës.
Në Shipol përfituese do të jenë 18 familje me sipërfaqe totale të ndërtesës që është pjesë e projektit të përgjithshëm prej 1,130 metrash katrorë, ndërsa në Desi përfituese do të jenë 21 familje me sipërfaqe totale të ndërtesës që është pjesë e projektit të përgjithshëm prej rreth 1,700 metrash katrorë.
Këto rinovime po bëhen nga Fondi i Kosovës pёr Efiçiencё tё Energjisё me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90 për qind) dhe pjesëmarrje të Komunës së Mitrovicës së Jugut (me 10 për qind).
Qeveria është duke vazhduar angazhimin për të përmirësuar kushtet e jetesës për qindra e mijëra qytetarë dhe ulur kostot e shpenzimeve të energjisë, gjersa deri më tani kemi mbështetur 3 000 familje me izolim të shtëpive e mbi 40 000 familje me pajisje efiçiente dhe panele solare, duke renovuar dhe 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale.