Kurti viziton Bislim Zyrapin, i uron shërim të shpejtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se ka vizituar mbrëmë ish-shefin e Shtabit Operativ të UÇK-së, Bislim Zyrapi, i cili kohëve të fundit ka pasur disa probleme të theksuara shëndetësore.
Derisa i ka uruar shërbim të shpejt, Kurti ka sjellë në kujtesë edhe takimet gjatë luftës me Zyrapin.
“Mbrëmë, e vizitova gjeneral Bislim Zyrapin, i cili po e merr veten pas një sulmi në zemër së fundmi, ndërkohë që është në terapi të dializës. Pasi i ka kaluar disa ditë në gjendje kome dhe i intubuar, gjeneral Zyrapi është zgjuar duke u kthyer në jetë dhe tani po i përmirësohet shëndeti. Andaj bashkë me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe këshilltarin politik, Hajriz Sejdiu, i uruam të shkuara dhe shërim të plotë e sa më të shpejtë. Me gjeneral Bislim Zyrapin jemi takuar disa herë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në ato kohëra të vështira por edhe të lavdishme. E kujtoj veçanërisht natën e 31 dhjetorit 1998, kur me gjeneral Zyrapin dhe me luftëtarë e bashkëpunëtorë të tjerë, e patëm pritur bashkë vitin e ri 1999 në Nekovc të Drenasit. Gjeneral Bislim Zyrapi ka qenë Shef i Shtabit Operativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë një kontribut të çmueshëm gjatë luftës çlirimtare në Kosovë më 1998 dhe 1999. Ndërsa paraprakisht, në gjysmën e parë të viteve ‘90, në Bosnje e Hercegovinë, Bislim Zyrapi ka luftuar edhe atje, si komandant i një njësie speciale gjatë gjithë periudhës gati katër vjeçare të rrethimit të Sarajevës e në mbrojtje të saj”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.