Kurti viziton ekspozitën e Pavarësisë në Vlorë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ishte kënaqësi e veçantë për të ta vizitojë ekspozitën e Pavarësisë në Vlorë, një ngjarje intensive, e realizuar posaçërisht për ditën e madhe të Flamurit e të Pavarësisë.
“Në disa dhjetëra metra katrorë ndesha tri forma të forta plastike: pikturë, pullë, dokument. Do të doja të kisha qëndruar më gjatë me artistët për të diskutuar mbi pejzazhet, portretet, teknikat dhe metaforat në tablotë e tyre. Artisti Edi Kojani më shoqëroi dhe me foli për çdo artist e çdo tablo. Disa prej artistëve ishin të pranishëm dhe shkëmbejnë ndoca fjalë me entuziazëm feste”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
E po aty, sipas tij, në mes të sallës, plastika që përshkruan një shekull administrativ, që lidh data dhe personalitete, që lidh ngjarje dhe njerëz – pulla. “Gjetje e bukur fakti që filatelia bënte pjesë në një sallë me pikturën dhe skulpturën. Ashtu papritmas, duke menduar pullat, më vjen ndërmend një prej statujave në një prej qosheve të sallës: shqiptari si kryq i ngurtë i trupit të malësorit dhe çiftelisë së tij”.
“Kur dola nga ajo sallë, në një holl të hapur, një befasi tjetër: ajo e prezantimit të disa prej dokumenteve më të hershëm e më të thukët të periudhës së ngutshme e të ethshme që garantonte shtetin e parë të shqiptarëve, dhe, të asaj që tregonte të pakryerën: Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ndër shkresa e dorëshkrime”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se e tërë ekspozita i la një shije ngrohtësie.
“Sipas metaforës së karikaturës së Arben Meksit, kulla e Pizës e sheh ndoshta drejtësinë në gjurmën e vet. Ka ardhur koha që ne ta lexojmë drejtësinë tonë drejtpërdrejt në punën tonë të përditshme e jo vetëm në gjurmët tona”.
“Çdo datë e shënuar është thirrje për punë. Falemnderit artistëve dhe koleksionistëve. Falë tyre ndjeva se në shqiptarët i përkasim të gjitha qyteteve tona, cep më cep, kudo ku na flasin gjurmët e artit dhe të kulturës, gjurmët e shtetndërtimit”, ka shkruar kryeministri Kurti.