Kurti viziton familjen Haradinaj në Gllogjan
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bënë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan si dhe morën pjesë në akademinë përkujtimore me rastin e manifestimit të Epopesë së Dukagjinit.
Pas homazheve, kryeministri Kurti vizitoi familjen Haradinaj me ç’rast u pritën nga kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të vazhduar më pas në akademinë përkujtimore.
“Në fillim pranverën e vitit 1998 pas rezistencës së pashembullt të Jasharajve në Prekaz në datat 5, 6 dhe 7 mars vjen qëndresa e fuqishme e familjes Haradinaj dhe Mehmetaj në Gllogjan më 24 mars. Të dyja këto e kishin një armik – Serbinë, kishin një qëllim – lirinë’’, nisi fjalën e tij kryeministri Kurti para shumë të pranishmëve në akademinë përkujtimore.
Beteja e ashpër e 24 marsit, sipas kryeministrit, dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe të popullit tonë në rrugën e nisur drejt çlirimit.