Kurti viziton Gjilanin, tregon për projektet që janë në planifikim për vitin e ardhshëm
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar të premten komunën e Gjilanit, ku është pritur nga kryetari i saj, Alban Hyseni.
Kurti ka thënë se kjo vizitë e tij ka për qëllim për të parë punën që po bëhet dhe për të dëgjuar për planet për vitin e ardhëm.
“Prej takimit të fundit në tetor 2022, Gjilani sot e ka Qendrën e Re të Mjekësisë Familjare, Mireshi shumë shpejt do të bëhet me çerdhe të re, ndërkaq sot përuruam parkun ‘Banja’ me 17 mijë m2 dhe fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës ‘Hamdi Kurteshi’ me vlerë 2.4 milionë euro. Për vitin tjetër katër janë projektet kryesore: Stadiumi i qytetit për të cilin janë ndarë rreth 15 milionë euro. Procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme; Unaza rrugore që në total do të kushtojë rreth 26 milionë euro e që është buxhetuar për vitin 2024; Bulevardi i qytetit në vlerë prej 12 milionë euro me 20 mijë m2, hapësirë publike, me infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor, gjithashtu i buxhetuar për vitin e ardhshëm; dhe Autostrada e Gjilanit në të cilën po vazhdon puna në sajimin e problemeve që janë paraqitur së fundmi me rrëshqitjen e dheut e që kanë shkaktuar vonesa drejt finalizimit të saj deri në Bresalc, kurse për vazhdimin e saj deri në Dheun e Bardhë tashmë është ndarë buxheti dhe në fillim të vitit tjetër do të fillojnë procedurat e prokurimit”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka thënë se kryetari Alban Hyseni ka vazhduar që të paguaj borxhet e komunës nga e kaluara. “Për dy vjet në zyre tashmë janë paguar rreth 10 milionë euro, e për vitin e ardhshëm kanë mbetur më pak se dy milionë”, ka deklaruar Kurti.