Kurti viziton Klinikën Stomatologjike në QKUK, kjo është arsyeja
Me t’u kthyer nga Zvicra, ku kishte qëndruar gjatë kësaj jave për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe i shoqëruar nga drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, kanë vizituan Klinikën e Stomatologjisë.
Aty, përveç bashkëbisedimit me stomatologët, Kurti është njoftuar nga afër edhe me tri shërbimet e reja në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë, të cilat janë fiksimi i protezave, oksiduli i azotit dhe implantologjia e që kanë filluar në më pak se një vit.
Ai ka vlerësuar lartë shërbimin cilësor e pritjet e shkurta të pacientëve, derisa stomatologët i falënderoi për punën e angazhimin e tyre.
Po ashti, ai ka vizituar Emergjencën dhe Klinikën e Kirurgjisë dhe Ortopedisë, për t’u njoftuar edhe një herë me gjendjen e 13 pacientëve të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës, të cilët i kishte vizituar edhe fundjavën e kaluar, në ditën e aksidentit.
“Mjekët, infermierët po bëjnë krejt çfarë munden edhe dinë. Profesionalizimi edhe përkushtimi i tyre është i lartë dhe gjithashtu pamë, si në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë edhe këtu, rregull e disiplinë, por në të njëjtën kohë edhe pacientë të cilët na treguan drejtpërsëdrejti që janë të kënaqur me shërbimet që marrin dhe me trajtimin që gëzojnë”, ka thënë Kurti.