Kurti viziton panairin ndërkombëtar “Swiss Bau 2024”, sheh nga afër prodhimet e kompanive nga Kosova

17 janar 2024 | 12:11

Panairi ndërkombëtar “Swiss Bau 2024”, në Basel të Zvicrës ka hapur dyert për vizitorë, ku kompanitë nga Kosova po ekspozojnë prodhimet e tyre të drurit dhe ndërtimtarisë.

Panairi nisi me vizitën e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tek bizneset vendore ku u theksua përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e sektorit privat në veçanti për prodhuesit me potencial eksporti.

Kryeministri Kurti, me këtë rast tha se progresi në demokraci dhe qeverisje dhe stabiliteti institucional kanë reflektuar me rritje të dukshme të eksporteve dhe me investime të huaja.

Ndërkaq ministrja Hajdari, theksoi se industria e drurit është njëri ndër sektorët strategjik për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës sepse ka potencial për të rritur përfitimet e brendshme nga përdorimi i resurseve vendore dhe është ndër të vetmit sektorë industrial që kanë kontribut pozitiv në rritjen e inovacionit dhe uljen e deficitit tregtar.

Kurti dhe Hajdari, duke vlerësuar lartë kontributin e vazhdueshëm të diasporës, bënë thirrje që investimet e tyre potenciale t’i orientojnë në Kosovë, duke i siguruar ata për mundësitë dhe përparësitë që ofrohen përmes reformave të ndërmarra nga Qeveria, të cilat mbrojnë dhe trajtojnë barabartë investimet e diasporës dhe ato të huaja.

Panairi “Swiss Bau 2024” do të mbahet deri më 19 janar në Basel, ku 12 kompani vendore të mbështetura nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) po ekspozojnë produktet e tyre.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka…