Kurti viziton qendrën tregtare në Ferizaj që nuk mban produkte të Serbisë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vizituar të hënën qendrën tregtare “Plus Center” në Ferizaj.
Kjo qendër sipas Kurtit nuk mban asnjë produkt të Serbisë, raporton “Epoka e re”.
“‘Plus Center’ në Ferizaj sot i mbushi 20 vjet. Bashkë me kryetarin e Qendrës sonë i vizituam për t’i uruar punëtorët dhe pronarin Sylejman Nezirin. Tash e dy dekada nuk kanë mbajtur asnjëherë mallra të Serbisë dhe janë rritur e zgjeruar. I kanë 130 punëtorë në dy ndërrime (7:00 – 13:00 dhe 13:00 – 19:00) dhe nuk ka pushuar asnjë punëtor nga puna për shkak të pandemisë”.
“Në mesin e të punësuarve, pesë janë persona me nevoja të veçanta. Aty afër ‘Plus Center’ vizituam edhe Fabrikën e Veglave në Ferizaj e cila u privatizua në valën e nëntë në vitin 2006, por nuk e ndërroi veprimtarinë. 70 punëtorë prodhojnë profile të shumta metalike e së fundi kanë nisur edhe me prodhimin e pompave termike të cilat bëjnë kursim të madh të energjisë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.