Kurti viziton ShSKUK-në, kjo ishte arsyeja e vizitës
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Në këtë vizitë bashkë me të ishte edhe ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe zëvendësministri, Arsim Berisha.
Ata takuan ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi, kryesuesen e Bordit Drejtues, Aida Rexhepi dhe drejtorin, Musa Vitija.
“Njëherë më 19 gusht dhe pastaj sërish më 7 tetor iu dogj vetura drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija. Pas një pune intensive të tij janë gjetur shkelje të shumta të dokumentuara në raport përkatës. Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre. E para, sepse për herë të dytë nuk ka arritur të ofroj sigurinë e veturës së z. Vitija, kurse tjetra edhe pas dy jave nuk ka arritur t’i rikthej në funksion kamerat e sigurisë të cilat janë të dëmtuara nga “vetëtima””, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, “e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin”, ka pohuar Kurti.