Kurti: Vlerat themeltare të Këshillit të Evropës i rrinë natyrshëm qeverisjes sonë të mirë e progresiste
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.
Për këtë avancim të Kosovës për në KE, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se dy vjet e gjysmë është bërë punë e pareshtur sistematike, institucionale dhe politike.
“Dhjetëra zyrtarë shteti aktivë përditë gjithandej. Hapi i parë i suksesit publik ishte mbledhja e ambasadorëve në Këshillin e Evropës më 24 prill 2023, hapi i dytë ishte dje në mbledhjen e Komitetit për Çështje Politike, hapi i tretë do të jetë Asambleja Parlamentare më 18 prill 2024 dhe i fundit ai i anëtarësimit një muaj më pas, në maj, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare. Falënderoj të gjithë ata të cilët u angazhuan e kontribuuan që në këtë pranverë të bëhemi anëtar të Këshillit të Evropës, e në veçanti falënderoj zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti, grupin e deputetëve të kryesuar nga nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, dhe ambasadorin tonë në Strasbourg, Lulzim Hiseni. E arritur e madhe për popullin dhe shtetin tonë, mundësi e re për qytetarët e Kosovës pa dallim. Vlerat themeltare të Këshillit të Evropës, pra demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, i vijnë e i rrinë natyrshëm qeverisjes sonë të mirë e progresiste”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.