Kurti vlerëson rolin që OKB-ja ka luajtur në Kosovë

05 korrik 2023 | 14:54

Objektivat për Zhvillimit të Qëndrueshëm , si dhe bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me UNKT, ishin në qendër të takimit të tretë të Komitetit Drejtues për Kornizën e Bashkëpunimit të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (UNSDCF), për periudhën 2021-2025.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, ka vlerësuar rolin e OKB-së që ka luajtur në Kosovë.

“Ne vlerësojmë shumë rolin që ka luajtur ekipi i Kombeve të Bashkuara (UNKT) në Kosovë në adresimin e pabarazive sociale dhe ekonomike, të cilat mbeten të larta në Kosovë, si dhe punën e saj në avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë, ndërtimin e një shoqërie multietnike, përmirësimin e shumëgjuhësisë dhe përmirësimin e harmonisë ndëretnike”, ka thënë Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Arnhild, koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë,

Të nderuar ministra e zëvendësministra,

Të nderuar përfaqësues të OKB-së në Kosovë,

Kam kënaqësinë të nis, së bashku me ju, mbledhjen e tretë të Komitetit të Përbashkët Drejtues. Komiteti është dëshmuar të jetë një instrument kyç në përcaktimin e marrëdhënieve midis Qeverisë dhe Kombeve të Bashkuara – në drejtim të festimit të sukseseve të përbashkëta, reflektimit mbi sfidat dhe përcaktimit të një vizioni të përbashkët për të ardhmen. Jemi krenarë që po presim një prani të fuqishme të agjencive të OKB-së në Kosovë, dhe me këtë rast – një mirëseardhje e ngrohtë për z. Nuno Queiros, përfaqësuesin e ri të UNDP-së, dhe falënderim për znj. Maria Suokko, e cila është larguar nga Kosova pas katër vitesh shërbimi. Jam gjithashtu i kënaqur që Komisioni Ekonomik i Evropës i OKB-së i është bashkuar së fundmi këtij ekipi.

Duhet të ritheksojmë rëndësinë e këtij mekanizmi, si mjet për rishikimin e kuadrit të bashkëpunimit zhvillimor dhe përafrimin e tij me agjendën e qeverisë, si dhe për monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit. Është e rëndësishme që përmes këtij mekanizmi të shënojmë progres domethënës, por edhe të reflektojmë për sfidat dhe nevojat. Duke vepruar kështu, ne vazhdojmë partneritetin për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta në Kornizën e Bashkëpunimit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Ne vlerësojmë shumë rolin që ka luajtur ekipi i OKB-së në Kosovë në adresimin e pabarazive sociale dhe ekonomike, të cilat mbeten të larta në Kosovë, si dhe punën e saj në avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë, ndërtimin e një shoqërie multietnike, përmirësimin e shumëgjuhësisë dhe përmirësimin e harmonisë ndëretnike. Përmes punës normative të OKB-së, si dhe programeve të saj zhvillimore dhe asistencës teknike, populli i Kosovës po fiton qasje më të mirë në punësim, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera. Ky investim në kapitalin njerëzor është vendimtar për frenimin e emigrimit të të rinjve. Dhe për këtë, ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë me OKB-në për të forcuar qëndrueshmërinë demografike të Kosovës.

Që nga takimi i fundit, ne kemi vërejtur shumë zhvillime, veçanërisht kur bëhet fjalë për përcaktimin e kornizës strategjike në nivel kombëtar dhe sektorial. Në këtë kontekst, dua të theksoj se në datën 8 mars, ne miratuam Planin Kombëtar të Zhvillimit 2030, si një platformë që ndërthur vizionin afatgjatë të vendit me aktivitete konkrete për të sjellë ndryshime të dëshirueshme. Ne vlerësojmë mbështetjen që është dhënë nga agjencitë e OKB-së në hartimin e PKZh-së.

Zbatimi i vizionit të përcaktuar në PKZh duhet të kontribuojë në plotësimin e kushteve për anëtarësimin e vendit tonë në institucionet euroatlantike. Në të njëjtën kohë, do të demonstrojë përkushtimin tonë për integrimin dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Për më tepër, ajo duhet të shërbejë si një platformë për OKB-në dhe donatorët për të përafruar ndërhyrjet e tyre me të. Prandaj, ne duhet të forcojmë përpjekjet tona për koordinimin e donatorëve me rolin aktiv të Koordinatores për Zhvillim të OKB-së.

Në këtë drejtim, jam i kënaqur që OKB-ja do të zhvillojë një tabelë të OZhQ-ve për Kosovën, e cila do të zbulojë se ku kemi mbetur prapa dhe ku duhet të përshpejtojmë veprimet në mbështetje të Objektivave.

Identifikimi i mangësive do të na lejojë të investojmë aty ku është më e nevojshme. Për këtë, ne kemi kërkuar nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe koordinatori jonë i donatorëve që të lehtësojnë krijimin e një Fondi përshpejtues të OZhQ-ve për Kosovën deri në fund të vitit, i cili do të na mundësonte të drejtojmë fondet e qeverisë dhe donatorëve në fushat prioritare në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim.

E vlerësoj partneritetin tim me Koordinatoren për Zhvillim dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të çuar përpara iniciativat kryesore, siç është regjistrimi i popullsisë. Unë jam plotësisht i përkushtuar për regjistrimin e popullsisë që do të bëhet këtë vit dhe për iniciativa të tjera për forcimin e të dhënave. Të marra së bashku, këto projekte do të na vendosin në një pozicion edhe më të mirë për të marrë vendime të politikave të bazuara në dëshmi, për të planifikuar ndërhyrje zhvillimore dhe për të monitoruar progresin e përmbushjes së OZhQ-ve.

Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e kapitalit njerëzor, veçanërisht duke reformuar sistemin arsimor në mënyrë që të sigurojmë zhvillimin e aftësive të nevojshme për tregun e punës, duke i ofruar perspektivë të rinjve tanë. Prandaj, partneriteti ynë në këtë drejtim duhet të vazhdojë përmes mbështetjes që po ofrohet në hartimin e politikave, hartimin dhe zbatimin e masave aktive të tregut të punës, edukimin, programet e praktikës, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe punën legjislative në fushën e punësimit. Qeveria ka iniciuar platforma të rëndësishme që do të lehtësojnë kalimin nga shkolla në punë, siç është skema e Punësimit të Garantuar për të Rinjtë, ku shpresoj të shoh pjesëmarrje të fuqishme të OKB-së.

Sipas programit tonë të qeverisë, ne po punojmë për reformën e ndihmës sociale, në mënyrë që të përmirësojmë targetimin dhe shpërndarjen e mbrojtjes sociale, si dhe të sigurojmë qasje më të mirë në shërbimet sociale.

Jemi shumë të lumtur me vëmendjen që partnerët tanë po i kushtojnë prioritetit tonë të transformimit digjital. Së fundmi, ne miratuam Agjendën Digjitale për Kosovën, e cila përshkruan vizionin për 10 vitet e ardhshme në rrugën tonë drejt transformimit digjital. Është me rëndësi të madhe që ne të punojmë së bashku për këtë qëllim dhe të përfitojmë nga ekspertiza dhe mundësitë e tjera të financimit që janë në dispozicion përmes mekanizmave të OKB-së.

Më lejoni ta mbyll këtë adresim duke iu referuar të fundit prej 17 objektivave të OZhQ: angazhimi për “Partneritetet për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”. OZhQ 17 kërkon një partneritet të fortë ndërmjet ekipit të OKB-së në Kosovë dhe Qeverisë së Kosovës. Unë jam plotësisht i përkushtuar për të mbështetur shërbimet e OKB-së në vendin tonë dhe do të shikojmë mekanizmat e marrëveshjeve të ndarjes së kostove me OKB-në dhe donatorët, si dhe përmes angazhimeve dhe shkëmbimeve të tjera, përfshirë ato që do të identifikohen gjatë takimit të sotëm.

Pres me padurim të dëgjoj dhe diskutoj prezantimin tuaj mbi atë që ju i konsideroni përparësitë kryesore dhe çfarë do të thotë kjo për vitin e ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Lohaj shpall të pavleshme çertifikatën e biznesit me numër:…