Kurti: Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin shembull me mbarëvajtjen e tyre të rregullt
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim drejtoreshën e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Nancy Soderberg.
Kjo e fundit e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe u shpreh e gatshme për thellimin e bashkëpunimit, meqë tashmë edhe fizikisht do të punojë në Kosovë.
“Rëndësia e zhvillimit dhe thellimit të mëtutjeshëm të demokracisë, përveç që është punë e përpjekje e vazhdueshme e Institutit Demokratik Kombëtar, ajo tashmë është edhe në agjendën e prioriteteve të qeverisë sonë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai ka shtuar se demokracia zhvillohet kur politikat janë progresiste e ajo thellohet kur në të marrin pjesë edhe më shumë gratë, rinia si dhe grupet e margjinalizuara.
Temë e takimit ishin edhe zgjedhjet lokale që po afrohen.
“Zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti ishin shembull me mbarëvajtjen e tyre të rregullt”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Ai ka theksuar se nga këto zgjedhje, duhet të dalin udhëheqjet komunale, të cilat u shërbejnë me përgjegjësi qytetarëve dhe që ua përmirësojnë atyre përditshmërinë.
Instituti Demokratik Kombëtar është organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, që punon në përkrahjen dhe forcimin e institucioneve demokratike në mbarë botën, nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve, transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë.