Kurti: Zotimi i njëanshëm i pararendësit tim s’e lejon FSK-në në veri, por kufiri duhet të ruhet

30 shtator 2023 | 13:05

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se kufiri në veri të vendit ka “vakum që duhet të mbushet”, pavarësisht zotimit “të njëanshëm të pararendësit tim” ndaj NATO-s për moslejimin e zhvendosjet se Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në këtë pjesë të vendit.

Kurti i bëri këto komente gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, pothuajse një javë pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga persona të armatosur në Basnjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

“Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata praninë e NATO-s, KFOR-it atje. Për këtë akt të agresionit ndaj republikës sonë, Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë që ajo nuk është ndëshkuar për krimet e saj, ajo i ka përsëritur ato dhe kjo nuk duhet lejuar”, tha Kurti.

Për dallim prej Policisë së Kosovës, shkuarjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, e kufizon një marrëveshje mes Kosovës dhe NATO-s.

FSK-ja nuk mund të shkojë apo të vendoset në veri bazuar në një letër-shkëmbim të vitit 2013, në mes të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Në këtë letër-shkëmbim, Thaçi i ka garantuar NATO-s se FSK-ja do të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in.

Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, ua ka bërë të qartë disa herë institucioneve të Kosovës se kjo marrëveshje është ende në fuqi.

Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rrugë pranë një ure në Basnjkë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre sulmues u vranë.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të…