Kurti zotohet për bashkëpunim me zyrën e BE-së në Kosovë

10 shtator 2020 | 14:17

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shoqëruar nga ish-zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, zëdhënësi i kësaj lëvizje, Përparim Kryeziu dhe asistentja ekzekutive e tij, Valë Gjonbalaj, kanë pritur në takim mirëseardhës shefin e sapo emëruar të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE)/përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog dhe zëvendësshefin e Zyrës së BE-së, Riccardo Serri.

Duke qenë ky takim i parë pas emërimit të Szunyogut si ambasador i BE-së në Kosovë, kryetari Kurti i ka uruar fillim të mbarë në detyrën e tij të re, si dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Zyrën e BE-së në Kosovë.

Më tutje, kryetari Kurti e ka njoftuar zyrtarin e lartë të BE-së se për të dhe Lëvizjen Vetëvendosje!, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, bashkë me shtetin e së drejtës që lufton korrupsionin, përbëjnë boshtin e platformës qeverisëse, e cila është synuar gjatë qeverisë Kurti dhe do të jetësohet gjatë qeverisë “Kurti 2”.

“Ekonomia dhe zhvillimi i saj janë tejet të rëndësishme dhe duhet të trajtohen ashtu, pra si prioritet kryesor. Ajo është diga që parandalon migrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve tanë jashtë Kosovës dhe në të njëjtën kohë është ura që mundëson rikthimin e trurit në Kosovë”, citohet të ketë thënë Kurti.

Sa i përket relacionit të Kosovës me BE-në, Kurti ka shprehur përkushtimin për integrim evropian dhe reforma të gjithanshme. “Megjithatë, për Kosovën sikurse dhe për pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor nevojitet një vizion dhe lidership më i fortë i BE-së në këto kohëra dinamike e të krizave të ndryshme”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ndërsa ambasadori Szunyog e ka njoftuar kryetarin Kurti mbi synimet e tij gjatë mandatit të tij katërvjeçar. Ai ka thënë se këto synime e kanë në qendër të vëmendjes zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Ai ka theksuar se e ardhmja e vetme për Kosovën është në BE, dhe se kjo duhet të konsiderohet si përfundim i pashmangshëm e jo si alternativë.

Zyrtari kryesor i BE-së në Kosovë, ka paralajmëruar planin e ri të investime të BE-së në vendin tonë, duke filluar nga fillimi i tetorit të këtij vitit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli i…