Kurti zotohet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka popullsinë më të re në botë dhe se mbrojtja e promovimi i të drejtave të fëmijëve e të rinjtë janë në fokus të politikave të qeverisë. Ai në takimin e Komitetit ndërministror për të drejtat e fëmijëve që funksionon në kuadër të qeverisë, ka thënë se e ardhmja e vendit varet nga fëmijët.
Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se kujdesi ndaj tyre nuk duhet të mungojë.
“Me qëllim të zbatimit të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, qeveria është e gatshme për mbrojtjen e tyre. Të drejtat e fëmijëve ndërtohen në përpjekje motivuese për edukimin e tyre dhe me përpjekje parandaluese”, është shprehur Kurti.
Për të mundësuar jetësimin e njërit nga prioritet e qeverisë, e që është edukimi i hershëm, Kurti ka thënë se kanë planifikuar ndërtimin e 50 çerdheve.
“Meqenëse mbrojtja fillon me parandalim, Zyra për qeverisje të mirë ka hartuar programin që po e lansojmë për mbrojtjen e fëmijëve. E ardhmja e vendit tonë do të forcohet nga fëmijët. Takimi është për diskutime konkrete për përmasimin e të drejtave të njeriut. Prioritet i qeverisë është edukimi i hershëm andaj me buxhetin për 2022 do të fillojë financimi i 50 çerdheve. Pikë e rëndësishme është edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ne duhet të qëndrojmë pas planeve tona për të mbrojtur fëmijët tanë”, ka deklaruar Kurti.