Kurtin e mahnitë Papa Françesku: Shumë njerëzor e fort social, s’ka si ai në këtë shekull
Duket se kryeministrit të Kosovës i ka lënë përshtypje të veçanta takimi me Papa Françeskun në Vatikan. Albin Kurti ka përshkruar në detaje takimin dhe momentet që ka ndarë me prijësin e Vatikanit dhe krishterimit në botë.
Ai Papën e ka përshkruar shumë e njerëzor e fort social, duke thënë se gjatë takimit ai i ka bërë pyetje për Kosovën, rininë, fëmijët, arsimin, historinë e kulturën.
“Ndonëse disi ngathët hedhja hapat përpara, ecje e shkurtër m’u duk mua ajo nëpër disa korridore të gjata deri te biblioteka e Atit të Shenjtë. Për shkak të Papa Françeskut doja të mbërrij sa më shpejt tek ai, për shkak të pikturave mahnitëse të Rafaelit nëpër mure e tavan, silueta e shefit të protokollit po zvogëlohej teksa më printe. Ekziston dritarja e përsosur për të parë Sheshin e Shën Pjetrit me kupën qiellore sipër. Disa sekonda, jo më shumë, sepse syri im i djathtë tashmë kërkonte derën pas së cilës sakaq u shfaq mikëpritja e bardhë dhe e ngrohtë. Papa Françesku është shumë njerëzor e fort social. Ai bënte pyetje për Kosovën, rininë e fëmijët, arsimin e punën, historinë e kulturën, vlerat dhe të ardhmen. Flet për paqen me dashuri, për popujt me dhembshuri. Interesohet në një mënyrë të angazhuar, dëgjon me një durim që të përvetëson”, ka shkuar Kurti në Facebook, duke publikuar edhe disa fotografi nga takimi.
“Shërbimi ndihmon shërbyesin jo më pak se të shërbyerin. E politika është shërbim. Veprimet nuk kanë autonomi nga etika. E politika është veprim. Idetë janë më të rëndësishme se vetja. E populli është edhe më i rëndësishëm se idetë. Nuk e di si kanë qenë Papat e tjerë para tij. Vështirë të ketë një tjetër të këtillë në këtë shekull”, ka shkruar në fund Kurti.