Kurtin takon Varhelyin, kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Bruksel me komisionerin për zgjerim dhe fqinjësi të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Sipas njoftimit të qeverisë, në këtë takim u bisedua mbi marrëdhënien ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, me theks te angazhimi i vazhdueshëm dhe progresi që Kosova ka bërë për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Kryeministri Kurti e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian për reforma dhe përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në takimin që i paraprinë mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ishin edhe zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj.