Qytetarët e Shqipërisë ta kenë destinacion kryesor Kosovën për pushimet vjeshtë – dimër
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugore dhe Turizmit, Ruzhdi Kurtishaj, ka folur rreth vizitës së grupit të parë të turistëve nga Shqipëria me moton “Pusho Shqip”.
Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, Kurtishaj ka thënë se në aspektin e bashkëpunimit me Shqipërinë më tepër është duke u bërë nga partneritetin privat sesa nga ai institucional.
“Ky ekskursion ishte vazhdimësi e bashkëpunimi tonë me Shqipërinë. Është mirë që partneriteti privat po ecën më mirë se sa partneritetin në mes të institucioneve. Jam shumë i lumtur dhe krenar që grupi prej 60 personash ka vizituar Kosovën falë bashkëpunimit të mirë që kemi pasur”, ka thënë Kurtishaj, duke shtuar se kjo vizitë e personave nga Shqipëria ishte një kthim i borxhit moral.
“Kjo është një mesazh për të gjithë në Shqipëri se duhet ta vizitojnë Kosovën dhe nga afër të njoftohen për zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë. Thirrja jonë për të gjithë vëllezërit në Shqipëri është që ta vizitojnë Kosovën, sepse vendi ynë ka potencial për turizëm vjeshtë – dimër. T’i lënë pak anash vendet e regjionit, sepse e kanë Prishtinën, Prizrenin, Dukagjinin dhe shumë vende të tjera”, u shpreh Kurtishaj.
Ai tutje ka thënë se kjo vizitë ishte mbresëlënëse dhe se ka shpresa që do të vazhdojë kjo traditë.
“Vizita e tyre ishte mbresëlënëse. Disa e vizitonin Kosovën për herë të parë. Kështu që, përshtypjet ishin pozitive dhe shpresat janë që do ta vazhdojnë këtë traditë”, u shpreh ai.
Kurtishaj ka thënë se pavarësisht rrethanave të pandemisë assesi s’bënë që të mbyllet kufiri me Shqipërinë. “Pandemia e ka goditur çdo vend por Kosova dhe Shqipëria falë nismës së marrë nga ministri i Turizmit të Shqipërisë z. Blendi Klosi u bë zë për moton ‘Pusho Shqip’. Kemi arritur që mos ta bllokojmë turizmin. Prandaj, mbyllja s’do të ishte zgjidhje. Çdo herë kam qenë kundër mbylljes së kufijve me shtetin amë dhe askush s’duhet ta mendojë më këtë opsion”, ka thënë tutje Kurtishaj, duke shtuar se sa i përket kalimit transit janë rregullat e caktuara nga OBSH-ja. “Mbyllja duhet t’i kalojë të kaluarës dhe s’duhet të behët fjalë më për të”, ka thënë ai.
/Epoka e re/ Albulena S. MAVRAJ