Kurtishaj: Rimëkëmbja ekonomike e sektorit privat më e vështirë se pandemia COVID-19
Kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se sektori privat është më i godituri në vendin tonë si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe sektori privat është më i godituri. Sigurisht, humbjet janë shumë të mëdha, dhe për të pasur një të dhënë më të saktë duhet të bëhen analizat pasi të merren informata për secilin sektor dhe mandej të dalim me të dhëna të sakta, duke marrë për bazë edhe të dhënat zyrtare që nxjerr Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)”, ka deklaruar Kurtishaj.
Kurtishaj në këtë intervistë për Gazetën Scanner, ka vlerësuar se pakoja emergjente e qeverisë është e pamjaftueshme për mbështetjen e sektorit privat.
Sipas tij, rimëkëmbja ekonomike e sektorit privat do të jetë më e vështirë se pandemia COVID-19
“Vetë fakti që në sektorin privat ka rreth 300 mijë punëtorë të punësuar dhe akoma të punësuarit në sektorin privat nuk kanë garanci për paga të dinjitetshme dhe jodiskriminuese në krahasim me të punësuarit në sektorin publik, është indikatori i parë i krizës dhe besoj që Kosovës i duhet një pako emergjente që në rend të parë përmes kësaj pako të arritët një ndihmë në aspektin social, por krahas kësaj na duhet një pako mbështetëse direkte e që do të jetë një infuzion për sektorin privat që të rimëkëmbet ekonomia”, ka thënë Kurtishaj.
Në këtë kontekst, Kurtishaj ka bërë me dije se Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me kohë i ka adresuar në qeveri masat të cilat duhet të ndërmerren për sektorin privat.
“Qeveria e Republikës së Kosovës të krijojë Fondin për mbështetje financiare – Pako stimuluese për sektorin privat”, është shprehur Kurtishaj.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link: