Kurtishaj: Taksa e Rrugës së Kombit na kushton 80 mijë euro në baza vjetore

17 shtator 2018 | 12:44

Drejtori i Shoqatës së Transportit Rrugor në Kosovë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re”, se taksa e vendosur për Rrugën e Kombit nga Shqipëria është tejet e lartë.

Sipas tij, kjo taksë do t’i kushtojë kompanive transportuese 70-80 mijë euro në baza vjetore.

Ai ka thënë se nuk janë duke kundërshtuar taksën, por janë duke e kundërshtuar shumën e pagesës.  “Të jemi të qartë ne nuk jemi duke e  kundërshtuar taksën, por shumën e lartë që na u është vendosur. Taksa ka implikime tek secili anëtar i Shoqatës së transportueseve rrugor të udhëtarëve, sepse shumicën e punëve e bëjmë në atë drejtim. Si taksë ne se shohim si problem, por si shumë e shohim si problem”, ka thënë Kurtishaj.

Më tutje, ai ka deklaruar se nga mbledhja e sotme që kishe shoqata, kanë dal me dy përfundime.

“Shoqata ka mbajtur sot mbledhjen me këtë pikë të rendit të ditës dhe kemi dal me konkludimin se taksa nuk kundërshtohet, por shuma e taksës sepse është shumë e lartë dhe të gjithë kërkojnë që shuma të jetë vetëm 5 euro, pasi jemi kontribuues të drejtpërdrejt të shtetit amë, dhe turizmi është sektori kryesor. Në këtë drejtim kërkojmë që autobusët të kenë trajtim tjetër. Shqipëria nga turizmi merr mbi 1 miliard euro e që shkon përmes kompanive transportuese dhe qytetarëve. Ne s’po kërkojmë asgjë të veçantë, por që të jetë 5 euro e përballueshme, pasi mund të ndikojë dhe në ngritjen e çmimit të biletave dhe orientim në tregjet e reja, pasi kjo taksë na ngarkon në baza vjetore diku 70-80 mijë euro dhe është barrë e rëndë”, ka thënë ai.

/Epoka e re/

(A.MAVRAJ)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadi Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj…