Kurtit dialogu po i rrëshqet në prioritet të parë
Kryeministri Albin Kurti, në ditët e para kur është zgjedhur kryeministër, pati thënë se dialogu Kosovë – Serbi do të jetë i radhitur si prioritet i gjashtë apo i shtatë për t’u marrë me të. Dalëngadalë ky premtim i tij ka ndryshuar ndërkohë. Pas presioneve të vazhdueshme të BE-së dhe të ShBA-së, si duket kryeministrit Kurti dialogu Kosovë – Serbi është duke i rrëshqitur në prioritet të parë. Këtë e vërteton edhe deklarata e fundit e ndihmëssekretares amerikane të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried, e cila në Prishtinë ka thënë se çështja e dialogut është urgjente
Mal QORRAJ
1. Dialogu Kosovë – Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, me përkrahje të fuqishme amerikane, është për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve me njohje reciproke; 2. Status quoja është e paqëndrueshme; 3. Nga status quoja përfiton Kremlini; 4 Çështja e dialogut është urgjente. Këto ishin katër mesazhet që dha në Prishtinë ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried, pas takimeve që ka pasur një ditë më parë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Si duket kryeministrit Kurti dialogu Kosovë – Serbi është duke i rrëshqitur në prioritet të parë dhe jo siç kishte thënë më herët se do të jetë prioritet i gjashtë ose i shtatë. “Kjo temë renditet e gjashta ose e shtata midis prioriteteve të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia… Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis, për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia!”, kishte thënë kryeministri Kurti.
Gjatë vizitës në Kosovë, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried, bëri të qartë qëndrimin e ShBA-së në raport me dialogun. Madje përmendi edhe fjalën urgjencë për këtë proces dialogues, shkruan “Epoka e re”.
“Status quoja është e paqëndrueshme; jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por është në dobi të Kremlinit. Rusia dëshiron të prishë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke siguruar që ju dhe fqinjët tuaj nuk mund dhe nuk mund të integroheni në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ai beson se një rajon ballkanik më i fortë, më i begatë dhe elastik demokratikisht është një kërcënim për ndikimin e tij. Marrëdhëniet më të mira mes Kosovës dhe Serbisë kërcënojnë aftësinë e Rusisë për të përçarë, për të krijuar frikë dhe për të nxitur kaos. Mënyra më e mirë për t’i kundërshtuar përpjekjet flagrante të Kremlinit për ta destabilizuar rajonin është e thjeshtë: Kosova dhe Serbia duhet të bashkohen dhe të riangazhohen urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e fuqishme të ShBA-së”, ka theksuar Donfried.
Për këtë deklaratë të zyrtares së lartë të ShBA-së ka pasur reagime nga opozita dhe shoqëria civile.
Anëtari i kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-ambasador i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, ka thënë se pushteti ‘Krejt dhe drejt’, që e quante dialogun prioritet të gjashtë a të shtatë, si për të thënë s’është gjë kjo punë, tash po flet për ‘urgjencë të dialogut’.
“Ka mbledhur mend më në fund kjo kastë pushtetore, apo? E kemi thënë vazhdimisht këtë që e dëgjuan sot prej diplomates së lartë amerikane presidentja dhe kryeministri, por edhe populli i Kosovës, pas deklaratave publike: status quoja nuk i konvenon Kosovës. Serbisë dhe Rusisë po, e kemi thënë përherë”, ka deklaruar Hamiti.
Ndërkaq nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se po i vjen mirë që më në fund kryeministri Kurti po shpreh mirënjohje dhe respekt publik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Neve, më herët, për qëndrime të bashkrenduara me ShBA-në, kryeministri i sotëm na ka etiketuar si tradhtarë, të nënshtruar e të shantazhuar. Por, këto qëndrime të kundërshtuara ashpër atëherë nga z. Kurti, i kanë sjellë Kosovës lirinë (përmes Rambujesë), i kanë sjellë pavarësinë (përmes procesit të Vjenës), dhe i ka sjellë MSA-në (përmes dialogut në Bruksel). Mes të tjerash, z. Kurti atëbotë ka pas thirrur edhe një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp për të denoncuar një shkëmbim letrash mes kryeministrit Thaçi dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. E mos të flasim për zhurmat e paarsyeshme të z. Kurti lidhur me angazhimet e ish-sekretares Albright në mbështetje të Kosovës. Këto të fundit i kanë të publikuara në fletushkat e VV-së”, ka deklaruar Çitaku.
Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington tash ka disa pyetje për Kurtin pasi ka marrë pushtetin në raport edhe me dialogun. “Kryeministër, a jeni vendosur në linjë me ShBA-në, se dialogu me Serbinë për marrëveshje finale me njohje reciproke është çështje urgjente dhe se kërkon angazhim serioz edhe nga Kosova? Cili është qëndrimi juaj për marrëveshjen e Uashingtonit (marrëveshje të cilën e mbështet administrata Biden)? Kryeministër, a e ke pasë gabim atëherë a tash?”, ka pohuar Çitaku.
Analisti politik Ilir Ibrahimi ka thënë se deklarata e ndihmëssekretares amerikane të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Karen Donfried, se status quoja dhe vonesat në dialog shkojnë në favor të Rusisë, ishte mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë që moti nuk e kemi dëgjuar. “Mesazh më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë moti nuk kemi parë. Mund ta imagjinojmë se edhe sa më i qartë mund të ketë qenë mesazhi në takime me liderët. Nuk ka se si të mos e kuptojnë udhëheqësit kosovarë këtë mesazh. E nëse edhe pas këtij mesazhi nuk guxojnë të veprojnë, atëherë me të vërtetë kjo është përtej çdo logjike. Sipas këtij mesazhi, lufta kundër interesave ruse bëhet në tavolinën e bisedimeve dhe jo me intervista televizive, qofshin ato edhe të CNN-it”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka theksuar se nëse dikur liderët kosovarë kanë arritur që përballë tytës së pushkës së ushtrisë serbe të shkojnë dhe të arrijnë një marrëveshje në Rambuje, nuk ka asnjë kuptim që sot në kohë paqeje, përkrah fuqisë më të madhe ushtarake në botë, të hezitojnë. Koha për të vepruar është sot. Veprimi të rreshton me Amerikën. Mosveprimi me Rusinë. Kaq e thjeshtë është”, ka thënë Ibrahimi.
Albin Kurti sa ishte në opozitë vazhdimisht ka drejtuar akuza për procesin e dialogut me Serbinë.