Kurtit i kërkohet të mos bisedojë për reciprocitetin nesër në Bruksel

17 gusht 2022 | 11:09

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nesër do të takohen në Bruksel, me ftesë të shefit të politikës së jashtme dhe diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, nuk ka pritje të mëdha nga ky takim, ndërsa thekson se Kosova atje duhet të flas vetëm për të pagjeturit dhe në asnjë mënyrë për çështjen e dy vendimeve të qeverisë që lidhen me reciprocitetin.

Sipas Arifit, Kurti duhet të insistojë për çështjen e të pagjeturve pas së cilës thotë se duhet të kalohet në dialog final.

“Për shkak të vazhdimësisë të dialogut që ka prodhuar aq shumë gjëra të parëndësishme nuk pres shumë. E vetmja pikë që ka mbetur të diskutohet në Bruksel, është për të pagjeturit dhe më nuk ka pika Kosova që duhet të kthehet. Për energjinë ne e provuam Serbia prapë nuk po dëshiron me implementuar një marrëveshje që vet e ka nënshkruar, për targat nuk diskutohet me një shtet tjetër, është çështje absurditeti, dhe unë mendoj vetëm për të pagjeturit dhe kjo nuk është në vullnetin e Kosovës, kjo varet nga pala serbe jo nga Kosova. Mendoj që Kosova me të pagjeturit e mbyll dialogun, do të duhet të shkohet në dialogun final”, ka thënë ai.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti u ka thënë gazetarëve se është i interesuar për marrëveshje e cila e ka në qendër njohjen reciproke.

Ai ka thënë se bisedimet në Bruksel nuk duhet të jenë për dialog por për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe normalizim të plotë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se blloku evropian nuk u imponon zgjidhje partnerëve duke shtuar se BE-ja ndihmon palët vetëm në gjetjen e një kompromisi.

Ai në një konferencë për media ka thënë se BE ndërmjetëson dialogun për aq sa ekziston gatishmëria nga palët për të gjetur zgjidhje kompromisi. Sipas tij, përparmi i Kosovës dhe i Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian varet nga hapat që bëjnë në dialog.

Është paralajmëruar se sot shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg do të takojë ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë, rreth orës 23:30 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar…