Kurzi: Dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë, është në interes edhe të rajonit
Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se gjatë presidencës së BE-së Austrisë do të kontribuojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Ballkanin Perëndimor.
“Në këtë rajon, ka ende disa tema kontradiktore nga vende të ndryshme, gjë që është e kuptueshme pasi që disa dekada më parë atje kishte luftëra”, është shprehur ai për agjencinë “APA” me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit në Londër.
Kurz ka thënë se është e rëndësishme që çështjet e hapura të zgjidhen përfundimisht.
“Do të përpiqemi të japim një zgjidhje”, ka thënë kancelari austriak.
Kurz ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.
“Është e domosdoshme që më në fund kemi një zgjidhje pozitive për çështjen. Kjo nuk është vetëm në interes të të dyja vendeve, por në interes të gjithë rajonit”, ka thënë Kurz.