Kusari: E kuptojmë se kemi ende shumë punë, por s’kemi lëvizur nga drejtimi i mbarë
Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se për dy vjet qeverisje kanë dëshmuar një qeveri që nuk nënshtrohet dhe lufton sovranitetin e vet si dhe është qeveri që lufton krimin dhe korrupsionin.
Ajo ka thënë se në këto dy vjet të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje dëshmuan se janë qeveri që ndihmojnë qytetarët.
“Sot dy vite pas në gjysmë mandati e kuptojmë se kemi ende shumë punë por se nuk kemi lëvizur nga drejtimi i mbarë që na e besuan qytetarët, dy vite qeverisje dëshmuan një qeveri që lufton krimin dhe korrupsionin, një qeveri që ndihmon qytetarin dhe kthen besimin në shtet dhe institucione, një qeveri që punon për zhvillim dhe sjell prosperitet për drejtësi dhe qytetarët. Gjatë këtyre dy viteve kemi një ekonomi që është në rritje të vazhdueshme kemi një shtet që kryeson në rajon dhe më gjerë për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionin një shtet që nuk nënshtrohet dhe lufton për sovranitetin e vetë”, ka thënë Kusari-Lila.
Deputetja e LV-së ka deklaruar se nesër (e premte) kur Kosova shënon 15 vjet të shtetësisë së saj rrugëtimi për të arritur te liria dhe pavarësia ishte me sakrifica e rezistencë.
“Kosova nesër shënon 15 vite që hapi një kapitull të ri të historisë së saj, që u arrit me shumë mund, sakrificë, rezistencë e sfida për të arritur lirinë, paqen e barazinë. Rruga deri tek shtet i pavarur dhe sovran u përcoll me përpjekje sakrifica dhe mbi të gjitha qëndrueshmëri e konsistencë të popullit që e kishte në AND e vetë se asgjë më pak apo më shumë se liria e plotë nuk ishte synimi i vetë”, ka thënë ajo.
Ndërsa para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Kusari-Lila foli edhe për 14 shkurtin e vitit 2021, ku partia në pushtet ka marrë mbështetjen e qytetarëve për qeverisje.
“Më 14 shkurt 2021 qytetarët e Kosovës tejkaluan pritjet dhe parashikimet e gjithë të tjerëve duke përcaktuar qartë dhe saktë vullnetin e tyre për të ndryshuar kurs të qeverisjes së vendit, fitorja e 14 shkurtit nuk ishte as e implantuar dhe as e imponuar ishte fitore e vullnetit të qartë të qytetarëve të Kosovës ata treguan se duan qeverisje sovrane vendimmarrje meritore dhe të drejtë, e duan shtetin me integritet pa u nëpërkëmbën nga askush nga brenda apo jashtë. Ndryshimi që votuan qytetarët 2 vite më parë është përgjegjësi e jona e përditshme është misioni dhe obligimi ynë që duhet ta finalizojmë me dinjitet dhe integritet ashtu si ata e kërkuan dhe ashtu si na e takon neve t’iu ofrojmë”, ka thënë ajo.