Kusari-Lila: Barrikadat duhet të hiqen sa më parë, Kodi Civil në procedurë vitin tjetër
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se barrikadat në veri duhet të hiqen sa më parë.
Sipas saj, kjo situatë nuk i konvenon askujt përveç atyre që duan destabilizimin e Kosovës.
“Ngjarjet të cilat po ndodhin në 4 komunat e veriut të Kosovës janë ato të cilat po provokohen drejtpërdrejt nga Serbia për një destabilitet për t’u humbur fokusi nga ajo përgjegjësi e cila tashmë është e Aleksandër Vuçiqit dhe qeverisë në Serbi”.
“Nuk isha lëshuar në detaje të dhënies së datave, ato duhet të hiqen sa më parë. Situatë e tillë nuk i konvenon askujt përveç atyre që dëshirojnë destabilitet në Kosovë”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Ndërsa kur ka folur për Projektligjin për Kodin Civili, i cili është duke u kundërshtuar nga një numër i deputetëve të kësaj partie, ajo ka thënë se shpreson që të kalojë vitin tjetër.
“Sa i përket Kodit Civil është në procedura për vitin 2023, ka pasur diskutime të shumta. Jam e bindur që do të kemi një proces të suksesshëm”, ka deklaruar Kusari-Lila.