Kusari-Lila: Drafti i Asociacionit duhet të hartohet në Kosovë, pas zgjedhjeve lokale

04 dhjetor 2024 | 12:10

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është skeptike se do të ketë progres në dialog, pavarësisht caktimit të takimit të kryenegociatorëve më 17 dhjetor në Bruksel.

Kusari-Lila, në një intervistë për “Kosovapress”, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përfshira në hartimin e draft-statutit të Asociacionit, pavarësisht presionit ndërkombëtar që të dërgohet draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian (BE) në Gjykatë Kushtetuese.

Pas disa sulmeve në veri të vendit përfshirë dy sulmet terroriste atë të Ibër-Lepencit dhe rasti Banjska si më të rëndat kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kushtëzuar dialogun dhe ka pasur pikëpyetje për vazhdimësinë e këtij procesi.

“Është paksa e vështirë që të besohet që afërsisht në takimin e fundit në këtë legjislaturë apo mandat qeverisës në Kosovë mund të ketë ndonjë kthesë të madhe. S’ka ndonjë progres apo ndryshim nga qasja e Serbisë që e ka pasur në dialog. Prandaj nëse ka të bëjë me pajtueshmërinë e palëve për t’u dakorduar me rrugën përpara unë kam hezitim se mund të presim diçka shumë pozitive, si rezultat të përgjithshëm nga ajo çka kemi pasur më herët. E kam thënë edhe më herët, dihet se ku është problemi në vazhdimësi me zbatimin e marrëveshjeve dhe ngecjeve e shkeljeve që i janë bërë asaj. Adresa është në Beograd dhe presioni duhet të drejtohet atje. Tash sa do të arrihet që brenda një takimi të radhës në Bruksel të tejkalohet kjo mbetet të shihet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, komunat veriore duhet të jenë të përfshira dhe të nisin themelimin e një mekanizmi si Asociacioni, andaj ka theksuar se procesi i hartimit të një draft-statuti duhet të bëhet pas zgjedhjeve lokale në vitin 2025.

“Zgjidhja është gjithmonë që institucionet e Kosovës të jenë të angazhuara në përgatitje ne draftit, dakordimin dhe vlerësimin e rrethanave edhe në teren. Mbi të gjitha një proces i tillë është paksa i vështirë të mendohet para zgjedhjeve lokale që janë në vjeshtën e vitit 2025. Duhet të ketë përfshirje edhe të komunave dhe natyrisht trajtim dhe diskutim të mirëfilltë mbi proceset përpara… Asociacioni është çështje e Kosovës. Është e vërtetë se ka qenë marrëveshje e dialogut, por në vazhdimësi zbatimi dhe kompetencat e përgjithshme dhe obligimet janë për Kosovën. Serbia përveç diskutimit në raport me komunitetin serb në Kosovë, por përgjegjësitë të tjera nuk janë për çështjen e Asociacionit”, ka thënë Kusari-Lila.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga viti 2015 deri në vitin 2024, më shumë se…