Kusari – Lila i kundërpërgjigjet Tahirit: PDK-ja vazhdoi me ofendime ndaj meje
Tensionet e krijuara në seancën e së premtes janë bërë “mollë sherri” në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën.
Kjo meqë pas hapjes së atij debati, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës kanë lëshuar mbledhjen me arsyetimin se janë ofenduar nga ushtruesja e detyrës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.
Por, këtyre akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës u është përgjigjur Kusari – Lila, duke thënë se ishin përfaqësuesit e PDK-së ata që e ofenduan personalisht atë.
“Kam kërkuar nga përfaqësuesit e PDK-së, që kur u përmendën zhvillimet e asaj dite, të kenë kujdes në gjuhën parlamentare dhe të mos përsëriten situatat dhe rrethanat ku jemi fyer në baza gjinore, por gjithashtu edhe komentet dhe agresiviteti në dalje i deputetëve të PDK-së karshi ministres së Punëve të Jashtme ka qenë jashtë çdo norme parlamentare. Ky koment i imi bëri që përfaqësuesit e PDK-së të ngritën dhe të dalin nga mbledhja e Kryesisë, duke vazhduar prapë me të tjera kategorizime ndaj meje personalisht. Unë atë ditë jam ndjerë shumë keq si deputete, si qytetare e Republikës, si nënë, si grua kur dëgjojë ofendime dhe kategorizime që kanë ardhur nga deputetët e PDK-së. Konsideroj se me apo pa mikrofon, gjuha që përdoret nga deputetët duhet të jetë komfor standardeve të një gjuhe të mirëfilltë parlamentare”, ka thënë ajo.
Sa i përket çështjeve të tjera, ajo ka bërë me dije se kanë shqyrtuar procedimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit nr.05132 për automjetet, projektligj ky që synon heqjen e monopolit në homologimin e automjeteve.
“Ne tashmë e kemi proceduar, është miratuar në kryesi, është përcjellë në qeveri dhe në momentin kur qeveria e jep mendimin e saj, i kthehet seancës për të vendosur”, është shprehur ajo.