Kusari-Lila: Koha për unitet dhe bashkëpunim

22 mars 2020 | 15:32

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, duke iu referuar pandemisë, ka thënë se është koha për unitet dhe jo për betejë politike.

“Ulni armët politike dhe thirrni arsyes dhe përgjegjësisë në emër të gjithë atyre nga të cilët kemi marrë mandat t’i përfaqësojmë si duhet e sot edhe t’i mbrojmë nga virusi global”, ka shkruar Kusari-Lila në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kusari-Lilës:

Koha për unitet dhe bashkëpunim e Jo për betejë politike në mes të luftës me pandeminë

Sot u shënua vdekja e parë e një pacienti të infektuar me #Covid19

I ndjeri, Halim Haliti 82-vjeçar është nga komuna e Podujevës. Ngushëllimet më sinqerta familjes dhe miqve të z. Haliti. Qoftë e fundit jetë e marrë nga virusi.

Në të njëjtën kohë, në media u riaktivizua beteja politike për të argumentuar pse ishte e domosdoshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe sa ishte “gabim” koalicioni qeverisës.

Edhe sikur krejt të jenë të sakta, në këtë kohë, beteja politike është e fundit që duhet të jetë në agjendën institucionale.

Pas viktimës së parë në Kosovë nga Covid19, duhet shtuar masat dhe kujdesin për shëndetin publik. Asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta dhe siguria e qytetarëve.

Ndryshimet eventuale në kabinet, jo vetëm që rrezikojnë jetët e qytetarëve, por mbi të gjitha rrezikojnë jetërat e mantelbardhëve të cilët sot janë ushtarët në vijën e parë të frontit.

Në Itali janë 2 629 personel mjekësor të infektuar me Covid19, ndërsa 13 prej tyre vetëm kanë vdekur si pasojë e kushteve jo të përshtatshme të punës dhe ekspozimit me rrezikun.

Kjo po ndodhë në Itali me sistem mjekësor më të avancuar se në Kosovë.

Imagjinojeni ndryshimin në sistemin e brishtë shëndetësor të Kosovës, do të jetë tmerruese vetëm mendimi se po kryhen pranim-dorëzimet e detyrave në mes të luftës me pandeminë globale.

Presidenti Barak Obama kur e mori detyrën për herë të parë në vitin 2009, mbajti Sekretarin e Mbrojtjes nga Administrata e Presidentit Bush, z. Bob Gates i cili shërbeu deri me 2011 për administratë e Obamës, vetëm se SHBA ishte në luftë me trupat e saj në Irak.

Nuk ka asnjë logjikë dhe asnjë arsyetim që e mbështet mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti në mes të betejës me pandeminë globale.

Ulni armët politike dhe thirrni arsyes dhe përgjegjësisë në emër të gjithë atyre nga të cilët kemi marrë mandat t’i përfaqësojmë si duhet e sot edhe t’i mbrojmë nga virusi global.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për shkak të koronavirus, që ka mbajtur pezull botërorin e…