Kusari-Lila: Kosova do ta shqyrtojë mbajtjen e zgjedhjeve nëse Serbia i dërgon kërkesë

14 mars 2022 | 15:51

Kosova do ta shqyrtonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës, ka thënë të hënën shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Përgjigja e institucioneve të Kosovës, tashmë e konfirmuar edhe në nivel të legjislativit, është që vetëm në një pranim të kërkesës zyrtare nga shteti i Serbisë drejtuar shtetit të Kosovës me kërkesë bazuar në ligjet e aplikueshme të Kosovës dhe në praktikat evropiane, do të shqyrtohej ajo kërkesë dhe do të merrej vendimi për apo kundër mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ajo ka theksuar se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga Serbia drejtuar institucioneve të Kosovës.

Sipas saj, Beogradi i është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, por Kusari-Lila tha se “në Kosovë autoriteti sovran është Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës”.

Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kanë thënë se presin një koordinim më të mirë mes pushtetit dhe opozitës për këtë temë.

Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se beson që “do të kemi një koordinim më të qartë sepse na presin edhe pak ditë deri në mbajtje të zgjedhjeve”.

Kurse dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë obligimet që ka marrë nga një rezolutë e Kuvendit të Kosovës, që u miratua kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese. Ky referendum në Serbi është mbajtur më 16 janar.

“Ne presim që qeveria të sillet karshi obligimeve që ka marrë nga Kuvendi”, ka thënë Driton Selmanaj nga LDK-ja.

Në anën tjetër, Time Kadrijaj nga AAK-ja ka thënë se “duhet të respektohen ligjet e Kosovës, duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe konform tyre duhet të veprojë edhe Kosova”.

Në vizitën në Kosovë gjatë javës së kaluar, ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë mënyra që të mbahen zgjedhjet.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe në komunitetin serb në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas praktikës së mëhershme, ku misioni në Kosovës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte grumbulluar votat. Kjo praktikë është krijuar më 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kishin lejuar këtë gjë.

OSBE-ja grumbullonte votat pas mbylljes së qendrave të votimit. Më pas ato numëroheshin në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për “Radion Evropa e Lirë” se janë të gatshëm të grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e reja, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Antonio Rudiger është njëri nga mbrojtësit më të pëlqyer në…