Kusari-Lila: Kuvendi s’filloi mbarë, kemi një listë të arritjeve dhe sukseseve
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ky vit nuk po fillon mbarë pasi partitë opozitare kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për çmimet e energjisë elektrike.
Sipas saj, seanca e rregullt do të ishte primare pasi në të janë 31 pika, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare dhe një mori projektligjesh.
“Nuk kemi ndonjë seancë të rregullt, fillim ky që unë e quaj jo të mbarë pasi do të duhej të kishim një seancë të rregullt që fillon me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me agjendën që i ka 31 pika, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare dhe një mori projektligjesh që i kanë plotësuar kushtet për të ardhur në seancë e për t’u votuar në dy leximet. Kemi një listë të arritjeve dhe sukseseve që kanë filluar të zbatohen në raport me pozicionin e Republikës sonë në subjektivitetin ndërkombëtar prej procesit të liberalizimit të vizave, te njohja e pasaportës së Kosovës nga të gjitha vendet jo-njohëse, përfshirë edhe Spanjën”, ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. /EO