Kusari-Lila: Ky vit do të jetë vit i zgjedhjeve të parakohshme
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se iniciativa për Gjykatën Speciale është joserioze dhe e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka theksuar se kjo iniciativë ka përkeqësuar raportet me ndërkombëtarët deri në shkallën që mund të jenë të parikuperueshme.
“Kjo iniciativë është marrë nga treshja udhëheqëse e Kosovës, presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj. Nuk e di se çfarë kanë menduar ata në veten e tyre, por diçka duhet të jetë. Ka qenë moment paniku nata e 22 dhjetorit. Të njëjtit që tash po e kundërshtojnë, e kanë votuar formimin e kësaj gjykate në vitin 2015. Ky obligim qysh atëherë është dashur të mendohet më seriozisht. Kemi pasur një menaxhim shumë të dobët të një krize shumë të rëndë të vendit, si dhe një përkeqësim të raporteve me ndërkombëtarët deri në shkallën që mund të jenë të parikuperueshme për të ardhmen e Kosovës”, është shprehur deputetja e Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila.
Kurse sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, ajo ka thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur.
“Demarkacioni ka ardhur në Kuvend, por ende nuk është prezantuar para deputetëve. Demarkacioni është një proces i cili duhet të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, për arsye se në shkëmbim të këtij procesi kanë mbetur pezull shumë procese të tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tash e dy vjet çështja e demarkacionit ka mbetur e pazgjidhur dhe për këta dy vjet, Kosovën e kanë lëshuar 31 mijë qytetarë të aftë për punë, të cilët kanë marrë viza nga Gjermania. Nëse presim që të zbrazet e tërë Kosova në kërkim të një jete më të mirë të qytetarëve të saj në vendet e tjera, atëherë cila është poenta e mbajtjes së kokëfortësisë në procese siç është demarkacioni”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj që nga formimi i saj është duke u përcjell me skandale, pamaturi dhe vendime të rrezikshme.
Kusari-Lila ka bërë me dije se nëse kjo Qeveri nuk e rrëzon veten në mungesë të konsensusit, vendimmarrjes dhe guximit për vendime të mirëfillta, opozita do të organizojë mocion të mosbesimit ndaj saj.
Ajo ka pohuar se viti 2018 do të jetë vit i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Epoka e re”: Znj. Kusari-Lila, ka më shumë se një muaj që Kosova është duke u marrë me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Cili është qëndrimi i Alternativës për këtë çështje?
Kusari-Lila: Iniciativa ka qenë e pamenduar mirë. Po flas për 22 dhjetorin e vitit 2017, për mënyrën dhe formën se si është menduar të zhbëhet një proces i cili e dëmton Kushtetutën e Kosovës, është joserioz si dhe është shumë i rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës. Për pasojat e kësaj iniciative është folur shumë. Të gjithë ambasadorët e huaj në Kosovë, përfshirë edhe atë të ShBA-së, asnjëherë nuk kanë qenë më të fuqishëm dhe më të qartë në mesazhet e tyre në raport me Kosovën. Kosova duhet të tregojë seriozitet karshi obligimeve ndërkombëtare në sferën e drejtësisë e jo të bëjë akrobacione me një çështje të ndjeshme, pasojat e së cilës do të jenë shumë më afatgjata sesa që dikush mund t’i mendojë. Kjo iniciativë është marrë nga treshja udhëheqëse e Kosovës, presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj.
“Epoka e re”: Ka ardhur kjo iniciativë nga frika e këtyre liderëve se mund të jenë cak i akuzave të Speciales?
Kusari-Lila: Nuk e di çfarë kanë menduar ata, por diçka duhet të jetë. Ka qenë moment paniku nata e 22 dhjetorit. Të njëjtit që tash po e kundërshtojnë e kanë votuar formimin e kësaj gjykate në vitin 2015. Ky obligim qysh atëherë është dashur të mendohet më seriozisht. Kemi pasur një menaxhim shumë të dobët, të një krizë shumë të rëndë të vendit, si dhe një përkeqësim të raporteve me ndërkombëtarët deri në shkallën që mund të jenë të parikuperueshme për të ardhmen e Kosovës.
“Epoka e re”: Kjo çështje tashmë ka shkuar në Qeveri. Cila do të jetë e ardhmja e saj?
Kusari-Lila: Se si do të veprojë Qeveria në këtë rast mbetet të shihet. Vendimet e deritanishme të kësaj Qeverie kanë qenë të dëmshme për vendin. Kemi të bëjmë me një koalicion qeveritar që nuk ka koherencë dhe nuk ka qëndrime të njëjta. Këta janë bërë bashkë në koalicion qeverisës vetëm për ndarje të interesave, e jo për ndarje të përgjegjësive e obligimeve shtetërore. Prandaj brenda këtij koalicioni ka mungesë kohezioni dhe konsensusi, i cili po vërehet. Kjo do ta dëmtojë vendin në shkallë të madhe. Se si do të veprojnë drejtuesit e këtij koalicioni është tërësisht e paparashikueshme sikurse që është e paparashikueshme e ardhmja e Kosovës me këtë Qeveri.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej qëndrimeve të ndryshme të partnerëve të koalicionit qeverisës për demarkacionin, kjo çështje është proceduar në Kuvend. Alternativa si e sheh epilogun e këtij procesi?
Kusari-Lila: Demarkacioni ka ardhur në Kuvend, por ende nuk është prezantuar para deputetëve. Demarkacioni është një proces i cili duhet të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, për arsye se në shkëmbim të këtij procesi kanë mbetur pezull shumë procese të tjera që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tash e dy vjet çështja e demarkacionit ka mbetur e pazgjidhur dhe për këta dy vjet Kosovën e kanë lëshuar 31 mijë qytetarë të aftë për punë, të cilët kanë marrë viza nga Gjermania. Nëse presim të zbrazët tërë Kosova në kërkim të një jete më të mirë të qytetarëve të saj në vendet e tjera, atëherë cila është poenta e mbajtjes së kokëfortësisë në procese siç është demarkacioni.
“Epoka e re”: Një problem tjetër me të cilin duhet të merret Kosova është edhe dialogu me Serbinë. Ju mendoni se duhet të ketë ndryshim të qasjes në raport me dialogun me Serbinë?
Kusari-Lila: Nuk ka ndryshim të qasjes përveçse ka dobësim të delegacionit. Haradinaj para ardhjes në pushtet ka thënë se do të bëjë një vlerësim të tërësishëm të procesit të dialogut dhe do ta ndërrojë formën e qasjen. Në fakt, nuk ka asgjë ndryshe nga e kaluara, përveç personit që e udhëheq grupin teknik. Prandaj personalisht nuk shoh asnjë progres në këtë proces për shkak se rrethanat janë rënduar, në veçanti pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe kushtëzimeve të mëtutjeshme të Serbisë. Tashmë zyrtarisht dhe në qetësi po pranohen të gjitha vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, pa ndonjë problem apo reagim tjetër në mungesë të vizonit të Kosovës për një qasje ndryshe në raport me këtë proces të rëndësishëm.
“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen Haradinaj?
Kusari-Lila: Kjo Qeveri që nga formimi e deri më tani është përcjell vetëm me skandale, me pamaturi, me mungesë koherence e konsistence, me vendime shumë të rrezikshme për vendin dhe qytetarët e tij. Kësaj Qeverie i mungon serioziteti. Të vetmin qëllim ka ngopjen e apetiteve politike të pushtetit. Qeveri më të dobët nuk kemi pasur në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Historia e re e Kosovës nuk njeh qeveri më të dëmshme.
“Epoka e re”: Ju si opozitë çfarë do të bëni që ta pamundësoni vazhdimin e kësaj Qeverie?
Kusari-Lila: Alternativa do të jetë pjesë e të gjitha iniciativave të partive opozitare, të cilat për qëllim kanë rrëzimin e Qeverisë dhe krijimin e një qeverie tjetër, gjegjësisht shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare. E vetmja zgjidhje është të përcaktohet afati i rrëzimit të kësaj Qeverie dhe që sa më shpejt të jetë e mundur të organizohen zgjedhjet e reja. Në mënyrë që vendit t’i lirohet frymëmarrja dhe secili qytetar të ketë një perspektivë më të ndritshme prej kësaj të zymtës që e ka me Qeverinë aktuale.
“Epoka e re”: Jeni duke punuar për sjelljen e një mocioni për Qeverinë?
Kusari-Lila: Nëse kjo Qeveri nuk e rrëzon veten, në mungesë të konsensusit, vendimmarrjes dhe guximit për vendime të mirëfillta për qytetarët e Kosovës, opozita do të organizojë mocion të mosbesimit ndaj saj.
“Epoka e re”: Kur mund të ndodhë një gjë e tillë?
Kusari-Lila: Unë mendoj se ky vit do të jetë vit i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Shqipe HETEMI