Kusari – Lila: Ligjin që e ka miratuar ky Kuvend e nxjerrë grevën në ‘Trepçë’ të paligjshme

31 tetor 2023 | 13:32

Kryetarja e grupi parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, në takimin mes anëtarëve të Komisionit për Ekonomi dhe sindikalistëve të “Trepçës”, ka thënë se janë shumë të vetëdijshëm për rrethanat edhe për situatën në këtë ndërmarrje dhe për këtë arsye është thirrur ky takim.

Kusari – Lila ka thënë se greva të minatorëve ka pasur edhe në qeveritë e kaluara, derisa ka thënë se në këtë grevë minatorët kanë hy pikërisht në datën kur u janë ekzekutuar pagat.

“E thatë ju me të drejtë që minatorët nuk duan e nuk dinë politikë. Greva ka pasur gjatë gjitha qeverive. Në grevën e vitit 2019 i keni pas kërkesat e juaja, e keni pasur Këshillin Grevist dhe e keni plotësuar grevën. Në grevën e vitit 2020 e keni pasur dorëheqjen e kryshefit , e keni pasur Këshillin Grevist, keni komunikuar me qeverinë është përfunduar greva. Në këtë grevë ju keni hy në ditën kur janë ekzekutuar pagat. Të vetëdijshëm për faktin që pagat janë vonuar, por ka qenë data 24  dhe ne të gjithë e dimë që 24 janë 3 jave prej fillimit të muajit, por gjithashtu e dimë se ka humbje të mëdha në ‘Trepçë’ që tregon se ka nevojë për një shikim përmbajtjesor të produktivitetit brenda. Dhe secila ditë që po shkon janë afërsisht diku 50 mijë euro humbje, nëse nuk gaboj”.

“Në situatën të cilën sot ka ndodhë greva është paksa problematike, për arsye se kur kërkohen kërkesat e Këshillit Grevist nuk ka të tillë, po themi që janë krejt minatorë, ndërsa sipas asaj që ne e kemi marrë zyrtarisht kush ka komunikuar me ju, kërkesa për pagën është heqë, kërkesa për sigurimin është heq, krejt çka ka mbetur është shkarkimi i kryeshefit”, ka thënë ajo.

Më tutje, Kusari – Lila  ka pyetur sindikalistët se ”në krejt këto rrethana të cilat janë rëndu shumë, a ja vlen me qenë poshtë dikush në zgafellë  derisa ne po e diskutojmë këtë çështje”

Ajo ka theksuar se ligjin që e ka miratuar Kuvendi e ka nxjerrë grevën të paligjshme dhe sipas saj është e dhimbshme që në vitin 2023 me thënë që kjo grevë nuk ka bazë.

“Ligjin që e ka miratuar ky Kuvend e nxjerr këtë grevë të paligjshme. Dhe është e dhimbshme që në vitin 2023  me në thënë që kjo grevë nuk e ka bazën, për arsye se ka parapa Këshillin Grevist. Kërkesa për shkarkim nuk lidhet me kontratën e punës, por të tjerat paga gjithsesi, kushtet e punës gjithsesi, por janë edhe disa çështje tjera të cilat nuk kanë kaluar sipas procedurës të cilat ish dashtë me qenë greva”, ka thënë Kusari-Lila.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA,…