Kusari-Lila: Minishengeni, ripaketim i idesë së ish-Jugosllavisë
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se minishengeni ballkanik, i emëruar tani “Open Ballkan”, synon të krijohet mbi parimin e superioritetit të Serbisë, pozicion ky, siç ka thënë ajo, i keqpërdorur çdoherë nga Serbia duke abuzuar me të tjerët.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se krahasimi i mishengenit me Bashkimin Evropian është i pasaktë dhe çorientues.
“Për të gjithë ata që sot mundohen ta arsyetojnë një ide në qendër të së cilës është Serbia, e cila u mohon qytetarëve të saj vetëm se janë shqiptarë të drejtën e jetesës në atë shtet, e njëjta Serbi e cila në vazhdimësi cenon dhe pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Po kjo Serbi e cila blen armë dhe dron nga Rusia e mohon gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Menjëherë dhe çuditërisht besohet se ushqen idenë për Ballkanin e Hapur, idenë e përbashkët, këtu në këtë mes nuk janë dy botë paralele siç po e theksojnë ata që e duan minishengenin me Serbinë në qendër dhe e krijojnë Kosovën, këtu është një realitet i qartë dhe një shtet që shkel të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj, një iluzion se është gjendur çelësi i problemit të Ballkanit, dhe një kullë prej letre e cila do të rrëzohet nga fryma e parë hegjemoniste serbe”, ka thënë ajo, transmeton kp.