Kusari-Lila: Mogherini s’ka kredibilitet të flasë për Kosovën, taksa s’dëmton miqësinë me ShBA-në
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, thotë se shefja e diplomacisë Evropiane, Frederica Mogherini e ka humbë kredibilitetin të flasë për Kosovën.
Sipas saj, shefja e BE-së gjatë mandatit të saj ka shprehë njëanshmëri dhe favore për Serbinë.
“Frederica Mogherini e ka hupë kredibilitetin t’i flasë Kosovës, për çfarëdo që duhet të bëjë Kosova, nëse BE-ja dëshiron të komunikojë me Kosovën, është mirë që ndoshta mesazhin ta përcjellin përmes një zyrtari tjetër, për arsye se ishte po e njëjta përfaqësuese e cila premtoi shumë dhe u bë e njëanshme, mbante vetëm anën e Serbisë, prandaj deklaratat e saja në raport me Kosovën në fund të mandatit të saj, pasi ajo efektivisht i ka edhe dy tre muaj mandat, nuk më duken as brengosëse, por as me ndonjë peshë”.
Shefja e Alternativës në një intervistë për Ekonomia Online, shprehet se taksa nuk i prishë marrëdhëniet miqësore mes ShBA-së dhe Kosovës.
Sipas saj, këtyre raporteve më shumë i japin fund, thëniet se taksa nuk hiqet deri në njohje nga ana e shtetit fqinjë.
“Nuk besoj që taksa i prishë raportet me ShBA-në, mendoj që i prishë qasja e cila tregohet jo operuese. Më tepër i prishin raportet thëniet të cilat nuk hiqet pasi që unë them kështu, ose nuk hiqet deri sa Serbia të na njeh, prej fillimit deri tash kjo çështje nuk është shtruar për së mbari, sepse ta vësh të gjithë shtetin peng vetëm për shkak të fjalës tënde nuk është as mençuri e as nuk tregon as largpamësi, raportet po prishen për mënyrën e komunikimin dhe menaxhimit të shtetit, shteti nuk menaxhohet me inate e në rastin e taksës po shihet se ka inate dhe është vënë taksa në mes”.
Edhe pse sipas Kusari-Lilës Serbia ka merituar ndëshkime nga Kosova si tash edhe para 20 vjetësh, me mbajtjen e taksë Kosova nuk fiton asgjë.
Kusari-Lila tha se taksa po shfaq një garë të kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj se cili është më burrë dhe njeri i fjalës.