Kusari-Lila: Nëse nuk shkarkohet shefi i AKI-së do të vuloset kapitullimi i Haradinajt
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nëse shkarkohet ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj dhe shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi mbetet në këtë pozitë, do të vuloset kapitullimi i kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Kosova, po e ndryshon rendin Kushtetues në sakrificën e gjashtë shtetasve turq, të cilët u bënë kurban të demokracisë tonë, por të cilët pa dëshirën e tyre, futen në lëvizje në Kosovë mekanizmin për ndryshimet e shumë pritura nga të gjithë”, ka shkruar Kusari-Lila në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kusari-Lilës:
Në rast se ndodh dorëheqja nga ministri Sefaj dhe mbetja në detyrë e shefit të AKI-së, Driton Gashit, atëherë vuloset me të dyja këmbët dhe duart kapitullimi i:
1. Rendit dhe shtetit ligjor të Kosovës,
2. Kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë së tij,
3. AKR-së si partner qeverisës me çmim të lartë të hyrjes në Qeveri dhe devalvim të shpejtë të saj në të.
Kosova, po e ndryshon rendin Kushtetues në sakrificën e gjashtë shtetasve turq, të cilët u bënë kurban të demokracisë tonë, por të cilët pa dëshirën e tyre, futen në lëvizje në Kosovë mekanizmin për ndryshimet e shumë pritura nga të gjithë.
Me qetësi dhe maturi duhet të ecim drejt cakut për kthimin e Republikës funksionale parlamentare. Pazareve dhe kompromiseve e shtrenjta në kurriz të Kosovës dhe qytetarëve të saj iu erdh fundi.
Shefi i AKI-së të largohet vetë me pak dinjitet (nëse i ka mbetur sadopak) se sa të nxjerrët jashtë nga aty i turpëruar së shpejti.
Ata që ishin pjesë e deportimit të shtetasve turq do t’i pret përgjegjësia penale, jo vetëm institucionale.