Kusari-Lila nis konsultat për koalicione, takon Fazli Hoxhën e Nismës
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka filluar takimet me përfaqësueses të partive politike në ketë komunë për garën e balotazhit më 14 nëntor, ku do të përballet me kandidatin e AAK-së, Ardian Gjini.
Burime brenda partisë së Kusari-Lilës, Alternativës, kanë bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se sot ajo është takuar me kryetarin e Nismës Socialdemokrate në Gjakovë, Fazli Hoxha.
“Qëllimi i takimit ka qenë për një marrëveshje për balotazh me Nismën Socialdemokrate në Gjakovë”, ka thënë ky burim.
Nisma Socialdemokrate në Gjakovë ka marrë 1436 vota për asamblenë komunale.
Ardian Gjini në raundin e parë më 17 tetor ka fituar rreth 46 për qind të votave, kurse Mimoza Kusari-Lila 37 për qind të votave.