Kusari-Lila: Nuk është ndaluar dinari, por mund të përdoret si çdo valutë tjetër e huaj
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e ka publikuar planin e veprimit për tre muajt e ardhshëm i cili lehtëson procedurat financiare tash që lejohet përdorimi vetëm i valutës euro.
“Diskutimi ynë po graviton tek domosdoshmëria e bartjes fizike të parasë. A ka kuptim kjo? Duke qenë synim lehtësimi dhe mbrojtja e të drejtës dhe mirëqenies së qytetarëve të komunitetit serb, Banka Qendrore e Kosovës me 12 shkurt publikoi edhe planin e veprimit për tre muajt e ardhshëm, në të cilin në mesin e të tjerave parashihet lehtësimi për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i tarifës për hapjen e degëve të institucioneve bankare, vendosjen e bankomatëve në komunat në veri si dhe shtatë rregulla të tjera lehtësuese”, ka thënë Kusari-Lila në foltoren e Kuvendit.
Sipas Kusari-Lilës, dinari mund të përdoret sikurse çdo valutë tjetër e huaj në Kosovë.
“Me këtë plan veprimi BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese përveç masave lehtësuese të lartpërmendura me qëllim që qytetarët të kenë qasje sa më të lehtë në financa dhe shërbime financiare”.
“Në debatin që është krijuar para dhe pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje është krijuar përshtypja sikurse Kosova ka ndaluar qarkullimin e dinarit serb në Republikën e Kosovë. Kjo nuk është e vërtetë pasi me këtë rregullore dinari mund të posedohet dhe përdoret sikurse çdo valutë tjetër e huaj në Republikën e Kosovës, pra njëjtë siç përdoret dollari amerikan, funta britanike, leku shqiptar, frangu zviceran apo valuta tjera”, ka thënë Kusari-Lila.