Kusari-Lila: Politikanët t’i lënë akuzat ndaj njëri-tjetrit për çështjen e vizave
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila në një intervistë për “Telegrafin”, ka folur rreth procesit të liberalizimit të vizave.
Ajo ka thënë se tërë kjo zvarritje ka të bëjë me mungesë të menaxhimit të këtij procesi.
“Çfarëdo që ka ndodh pas miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, nuk është më arsye që BE-ja kosovarëve tua mohojë liberalizimin, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka shtuar se në rrethanat normale votimi i cili pritet të ndodh në dhjetor duhet të ishte vendimi pozitiv.
“Për ne vendimtare janë Gjermania, Franca, Italia, Holanda… prandaj për ne është shumë e rëndësishme që të menaxhohet komunikim raporti me vendet anëtare të BE, prej tash deri në dhjetor kur pritet të ndodh votimi”, theksoi Kusari-Lila.
Kusari-Lila u ka bërë thirrje partive politike dhe politikanëve që ti lënë akuzat ndaj njëri-tjetrit dhe të fokusohen në këtë proces jetik për qytetarët e këtij vendi.
“Politikanët kanë filluar të bëjnë me gisht ndaj njëri-tjetrit se nëse nuk ndodh liberalizimi i vizave është faji i tij apo këtij… është mirë që t’i lënë akuzat dhe të fokusohemi bashkërisht që ky proces të ndodh, pra të hiqen vizat”, shtoi Kusari-Lila.
Kusari-Lila tutje theksoi se është mirë që sa më shpejtë të ketë dakordim mes partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.