Kusari-Lila: Qeveria Hoti erdhi dhe do të shkojë duke politizuar pandeminë
Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari0-Lila, ka se qeveria e Kosovës që drejtohet nga Avdullah Hoti ka ardhur dhe do të shkojë shpejt duke politizuar pandeminë.
“Me këtë menaxhim aktual, ku ka çdo gjë pos shkencë dhe vlerësim me bazë shkencore, jemi të destinuar të dështojmë, ashtu sikur po dëshmohet çdo ditë”, ka shkruar Kusari-Lila në llogarinë e vet në “Facebook”, raporton “Epoka e re”.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Kusari-Lilës:
Qeveria e Kosovës erdhi dhe do të shkojë shpejt duke politizuar me pandeminë.
Vendimi i reciprocitetit u hoq aty ku duhej të mbahej në çështjet ekonomike dhe politike, ndërsa u vendos aty ku nuk ka sens, në rrezik dhe dëm të shëndetit publik.
Qeveria në vazhdimësi po thirret se vendimet i merr në bazë të rekomandimeve të IKShPK-së.
A është vendim i IKShPK-së vendosja e reciprocitetit në teste, apo është reagim amator i të paditurëve në shëndetësi?
A është shkencërisht e dokumentuar se në mes shqiptarëve nuk shpërndahet virusi pasi nuk kërkohet testi për shqiptarët pa marrë parasysh shtetësinë e tyre?! Apo e tërë kjo mjegull është vetëm një veprim popullist dhe amatoresk pa asnjë sens logjik e shkencor?!
Non sensi me vendimin për testin negativ si kusht për të hyrë në Kosovë (përveç nëse i teston vetë në kufi), është po aq non sens sa edhe non sensi për lirim nga testi në bazë të etnisë.
Nëse e mbyll shtetin, e mbyll për të gjithë, apo e mbyll për shtetasit që vijnë nga vatrat e krizës, e fatkeqësisht ne Kosovarët jemi shëndrruar në të tillë.
Vlerësimet nuk po bëhen me rekomandim të ekspertëve por vendimet po merren në bazë të impulseve të politikës ditore.
Masat duhet aplikuar dhe shteti duhet të marrë vendime të analizuara dhe shkencërisht të verifikuara për aq sa ka informacion deri më tani për virusin.
Me këtë menaxhim aktual, ku ka çdo gjë pos shkencë dhe vlerësim me bazë shkencore, jemi të destinuar të dështojmë, ashtu sikur po dëshmohet çdo ditë.