Kusari-Lila, si Skënderbeu: Kryeministri Kurti e gjeti fusnotën në mesin tonë
Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, foli në emisioni Sytë 7 të Klan Kosovës në lidhje me asociacionin për komunat serbe si dhe paraqitjen e Kosovës me fusnotë në Këshillin e Stabilizim Asociimit.
Deputetja e Kuvendit tha se për asociacionin ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe se ai nuk do të ndryshojë apo avancojë rolin e komunitetit serb në Kosovë.
“Asociacioni në formën se si do të funksiononte nuk është se do të ndryshojë apo avancojë rolin e komunitetit serb në Kosovë. Synimi është që të ketë distancë mes komuniteteve që të ketë nivel të pavarësimit në raport me komunitetet tjera, përderisa vlerat evropiane nuk bazohen në standard në baza etnike”, tha Kusari Lila
Sa i përket pjesëmarrjes së kryeministrit Albin Kurti në Këshillin e Stabilizim Asociimit me fusnotë, Kusari-Lila tha se kritika nga opozita ishte e pavend, pasi sipas saj, ishin vet ata që u dakorduan për fusnotën.
“Kryeministri Kurti e gjeti fusnotën në mesin tonë, nuk e solli”, u shpreh Lila.
“Dihet se ai ka kritikuar në vazhdimësi momentin kur është pranuar fusnota, dhe prap mendoj se është më mirë që Kurti është në tavolinë, dhe ashtu do të hiqet, sepse abstenimi prej tavolinës ku është fusnota nuk do të thotë se ajo hiqet vetvetiu”, transmeton Klankosova.tv.
“Mesazhi dhe përfaqësimi nga Kosova duhet të jetë kudo që thirremi”, shtoi tutje Kusari-Lila.
“Mbetet obligim dhe përgjegjësi e qeverisë dhe kryeministrit në procedurat e ardhshme”.