Kusari-Lila s’ka informacione për afatin e pesë diplomatëve: Deklarata e Lajçakut për 24 shatorin është e rëndë
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusrai-Lila, ka thënë se nuk ka informacione që pesë diplomatët që ishin në vizitë të shtunën të kenë dhënë afat për Kosovën për ndonjë marrëveshje.
Ajo ka thënë se është e rëndë deklarata e të dërguarit special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, i cili ka potencuar se asgjë nuk ka ndryshuar në procesin e dialogut sa i përket sulmit pas 24 shtatorit.
“Nuk kam informacion se ka ultimatum dhe që afati është të enjten. Sa i përket deklarimit të Lajçakut pak më e rëndë është deklarata se asgjë nuk ka ndryshuar pas 24 shtatorit. Natyrisht se Kosova ka qenë e gatshme dhe ka treguar gatishmëri për dialog. Ne jemi të qëndrimi se 24 shtatori ka shënuar një kthesë të rëndësishme jo të mirë në procesin e dialogut”, ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Kusari-Lila ka thënë se është e rëndësishme që të dialogohet me opozitën sa i përket pjesëmarrjes në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ajo ka thënë se deri në fund të javës pritet që të ketë ndryshim sa i përket opozitës që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, raporton “EO”.
“U dakodruam që këtë javë të kemi tri seanca. E para është ajo që do të mbahet të enjten në orën 10:00. Të njëjtën ditë me fillim ne ora 12:00 do të fillojë një seancë tjetër me kërkesë të opozitës e cila do të trajtojë një rezolutë për koeficientin e pagave. Jemi dakorduar që një seancë të jetë edhe të premten”, ka thënë ajo.