Kusari-Lila: Takimet në Zvicër nuk janë sekrete dhe negociata
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë sqarime rreth një takimi që është mbajtur në Zvicër në mes të përfaqësuesve politik nga Kosova dhe Serbia.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka deklaruar se ky takim është organizuar nga “Council for Inclusive Governance”, në mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, sipas saj, ky është takimi i dytë i këtij lloji.
“Takimet në procesin i cili njihet si ‘Procesi i Soloturnit”;mbahen që nga viti 2015. Emri Soloturn, është emri i qytezës së vogël në Zvicër ku ka rastisur të mbahet takimi i parë dhe tjerët kanë vazhduar të mbahen aty. Takimet nuk janë sekrete dhe nuk janë negociata”.
“Ato më shumë janë facilitim i komunikimit të palëve në dialog. Takimet organizohen për të ndihmuar në dialog dhe mbahen sipas parimit të ‘Chatham House rules’. Titulli i publikuar nga gazeta zvicerane NZZ, ‘Takime Sekrete’ është senzacional, ndërsa nuk ka asgjë senzacionale gjatë takimeve”.
“Nga Kosova, të gjitha partitë parlamentare shqiptare dhe përfaqësuesit Serb janë pjesëmarrëse, pozitë dhe opozitë. Sa i përket diskutimit dhe konkluzave nga takimet, ato janë publike, të publikuara në webfaqen e CIG-ut, përfshirë edhe takimin i cili morri publicitet, ai i datës së 11-12 Nëntorit!”, ka shkruar Kusari-Lila.