Kusari- Lila thotë se do t’i drejtohen qeverisë me kërkesë për të ndarë fonde për Turqinë
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se me kërkesë të deputetit Enis Kervan, Kryesia e Kuvendit do t’i drejtohet qeverisë me kërkesën për të ndarë fonde dhe për t’i ofruar ndihmë njerëzore Turqisë pas tërmetit tragjik.
“Të prekur nga ngjarjet tragjike të shkaktuara nga tërmetet e njëpasnjëshme në Turqi dhe Siri, nga mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit, kemi ndarë dhimbjen duke shprehur ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, autoriteteve të vendit, dhe duke u lutur për shërimin e shpejtë të të lënduarve. Në të njëjtën kohë, me iniciativën e kryetarit të grupit të miqësisë, Kosovë -Turqi, deputetit Enis Kervan, Kryesia e Kuvendit do t’i drejtohet qeverisë me kërkesën për të ndarë fonde dhe për t’ofruar ndihmë njerëzore në mbështetje të përballjes së tragjedisë në Turqi”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Të prekur nga ngjarjet tragjike të shkaktuara nga tërmetet e njëpasnjëshme në Turqi dhe Siri, nga mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit, kemi ndarë dhimbjen duke shprehur ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, autoriteteve të vendit, dhe duke u lutur për shërimin e shpejtë të të lënduarve.
Në të njëjtën kohë, me iniciativën e kryetarit të grupit të miqësisë, Kosovë – Turqi, deputetit Enis Kervan, Kryesia e Kuvendit do t’i drejtohet Qeverisë me kërkesën për të ndarë fonde dhe për t’ofruar ndihmë njerëzore në mbështetje të përballjes së tragjedisë në Turqi.
Nga trajtimi i pikave për t’u shqyrtuar në seancat plenare, Kryesia e Kuvendit u dakordua për mbajtjen e dy seancave për këtë javë.
Seanca e parë, do të mbahet ditën e mërkurë me fillim në ora 12:00 për të trajtuar pikat e mbetura nga seancat e papërfunduara, ndërsa, seanca e dytë, do të mbahet si seancë e rregullt e Kuvendit, ditën e enjte me fillim në ora 10:00.
Në mesin e tjerave, seanca e re do të trajtojë:
– Votimin në parim i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,
– Shqyrtimin e parë të Projekligjit nr.08/L-213 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe
– Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme