Kusari-Lila thotë se Thaçi për interesat e tij politik po vë në lojë fatin e qytetarëve

15 qershor 2020 | 11:52

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar se Qeveria Hoti është duke dështuar në menaxhimin e krizë pandemike Covid-19.

Kusari-Lila ka thënë për “Kosovapress” se në kohën kur është rritur numri i rasteve me koronavirus, kjo qeveri është duke i lehtësuar masat dhe kështu sipas saj është duke e çuar vendin drejt një krize dhe situate të paqartë.

“Deri tash e kemi pasur një situatë pak më të qartë të menaxhimit të krizës, derisa kemi hyrë në një periudhë totalisht të paqartë, mbi atë se si menaxhohet kriza nga kjo qeveri jo legjitime që është votuar së fundmi. Është tepër e rëndë të shihet se numri i rasteve por rritet, ndërsa numri i masave po lehtësohet dhe nuk ka një qartësi mbi atë se si do të procedohet më tutje.”

“Derisa qeveria po tregon se që në ditët e para të saj mungesë të kompetencës totale dhe të përgjegjësisë pasi kemi pasur një rritje dramatike të numrit dhe një lehtësim të masave që është në mospërputhje. Ndërsa, në programin e vetë kësaj qeverie një ndër paragrafët e parë të programit qeverisës është menaxhimi i krizës, nëse kjo është menaxhim i krizës atëherë me të vërtetë ne kemi para nesh një situatë shumë të paqartë dhe një krizë tjetër të shkaktuar nga mungesa e menaxhimit të mirëfilltë të krizë Covid-19”, ka thënë ajo.

Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është duke luajtur lojëra për interesa të tij politike që sipas saj janë duke e vënë në lojë edhe fatin e qytetarëve të Kosovës.

“Tash luan lojëra të ulëta bashkë me fatin e qytetarëve duke qenë shumë i bindur me një siguri të madhe se orkestron qeverinë deri në pikën e fundit. Përderisa komplet një retorik tjetër ishte nga i njëjti njeri ditë më parë kur përgjegjëse ishte qeveria Kurti. Pra, një president i cili sipas tekeve të tij dhe interesave të tij politike vë në lojë fatin e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.

Më tutje, Kusari-Lila ka folur edhe për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë, për çka ka thënë se me këtë vendim është shkelur integriteti dhe sovraniteti i Kosovës.

“Asgjë të mirëfilltë nuk ka në atë vendim programi i qeverisë së jashtëligjshme Hoti parasheh ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit, ndërsa me vendimin e parë kanë treguar se kanë shkelur edhe integritetin edhe sovranitetin e Kosovës me heqjen e masës së reciprocitetit”, ka thënë Kusari-lila, duke shtruar se ndër vendimet e para që ka marrë qeveria Hoti ishte heqja e masave të reciprocitetit, e cila ishte parë si pengesë nga ana e shtetit serb për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj,…