
Kusari-Lila: Vota për nuk bllokon, ajo kundër e partive tjera po e bllokon procesin
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se 57 vota pro kandidates së kësaj partie për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk mund të konsiderohen bllokim i procesit.
Ajo ka thënë se vota kundër dhe abstenimi po e bllokon këtë proces.
“Më duhet të them dy fakte: disa herë radhazi, 57 vota janë për propozimin tonë. Në asnjë rast, vota për nuk është votë bllokuese, por është ajo kundër dhe abstenimi. Ne nuk jemi për të bllokuar institucionet”, ka thënë ajo para medieve.
Kusar-Lila ka folur edhe për afatet kushtetuese për formim të institucioneve, teksa ka thënë se Kushtetuta parasheh konstituim të Kuvendit 30 ditë pas certifikimit të rezultateve.
“Në raport me afat, më lejoni të vë në vëmendje të të gjithëve, që është e paraparë edhe me Kushtetutën, se 30 ditë pas certifikimit, duhet të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është të dielën, ose nesër nëse i numërojmë ditët kalendarike. Kjo situatë nuk mund të shkojë në pafundësi. Mund të sjell një rrethanë krejt tjetër, ku diskutimi i përbashkët me subjektet politike po afrohet gradualisht një datë për zgjedhje”, ka thënë Kusari-Lila.