Kusari: LV-ja do të diskutojë rregullimin e ligjit për martesat e gjinisë së njëjtë
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se grupi i saj parlamentar do të diskutojë rregullimin e ligjit për martesat e gjinive të njëjta.
Ajo ka thënë se pret që kjo referencë të mbështetet edhe nga deputetët pa dallim.
“Grupi parlamentar i LV-së do ta ketë në diskutim. Natyrisht secili grup parlamentar ka zëra të ndryshëm në lidhje me një referencë, dhe kjo referencë ka të bëjë me rregullimin e martesës së gjinisë së njëjtë me një ligj tjetër të veçantë, i cili nuk duhet t’i ndalojë as ata që janë me pikëpamje konservative të votojnë këtë projekt-kod për arsye të rëndësisë dhe peshës, kjo veç e tregon se në shoqërinë tonë do të vazhdojë ky debat, është debat përmbajtjesor dhe tepër i rëndësishëm në raport me të drejtat bazike elementare njerëzore. ky projekt-kod është tepër i rëndësishëm dhe duhet të mbështetet nga gjithë deputetët pa dallim”, ka thënë Kusari Lila në një konferencë për medie, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Në seancën e së enjtes pritet të bëhet shqyrtim i parë i këtij projekt-kodi civil.