Kusari thotë se ka oferta nga PDK-ja dhe koalicioni AAK-PSD
Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se kjo parti është duke konsideruar dy oferta nga dy parti të ndryshme për t’u bërë pjesë e listave zgjedhore në zgjedhjet e 6 tetorit.
Ajo në Magazinën Zgjedhore tregoi detaje të takimit të sotëm me Uran Ismailin nga PDK-ja.
“Përveç bisedës për situatën e përgjithshme ka qenë një takim ku është ofruar nga PDK-ja që të kemi hapësirë në listën zgjedhore të kësaj partie, me njerëzit që Alternativa do të vendosë si kandidatë për deputetë dhe pastaj me autonominë e vendimmarrjes në aktivitetet e mëtutjeshme pas zgjedhjeve në Kuvendin e Kosovës”.
Kusari-Lila gjithashtu ka treguar se ka pasur ofertë edhe nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj për koalicion parazgjedhor.
“Kam pasur takim edhe me Ramush Haradinajn. Ka ndodhur ditën kur ka qenë afati për dorëzimin e koalicioneve. Ka qenë ofertë e hapur për koalicion, megjithatë unë e kam falënderuar dhe për ne ka qenë një përgjigje e thjeshtë për jo, për shkak se së pari nuk kam asgjë personale por parimore. Nëse kam pasur vërejte aq serioze për qeverisjen dhe programin e tyre e tash me shku në të njëjtin proces me ata ku kam qenë kritikuesja kryesore nuk është parimore. Tani ka mbetur ofertë e hapur për me hy në listë zgjedhore”.
Ajo deklaroi se tani i mbetet Alternativës që të marrë një vendim, sipas saj, jo i lehtë ngaqë duhet të konsiderohet mundësia e moskalimit të pragut zgjedhor nëse kjo parti shkon e vetme në zgjedhje.
Sa i përket Vetëvendosjes, Kusari- Lila tha se e kanë refuzuar ofertën e tyre para përfundimit të afatit për dorëzimin e koalicioneve.
“Kam pasur takim me Albin Kurtin ku ma ka komuniku që Vetëvendosje vetëm nëse arrin marrëveshje me LDK-në mund ta përfshijë Alternativën, në të kundërtën Alternativa mund të vijë me disa kandidatë dhe të bëhet pjesë e listës”.