Kush dëshiron të heq emrin Hasan Prishtina, simbolin që mishëron luftën për pavarësi kombëtare?
Bardhyl Mahmuti, politolog
Përpjekjet që nëpërmjet ndryshimeve të statutit të Universitetit të Prishtinës t’i hiqet “Hasan Prishtina” nga emërtimi i tij me arsyetim se gjoja krijon pasaktësi për shkak se një universitet i krijuar nga strukturat kriminale të instaluara në qytetin e Mitrovicës nga Sllobodan Millosheviqi mban emrin “Universiteti i Prishtinës” është absurdi më i madh që ka prodhuar ndonjëherë udhëheqja e institucionit më të lartë arsimorë në Kosovë.
Në vend të mobilizimit të gjithanshëm të institucioneve shtetërore dhe universitare për delegjitimimin e plotë të universitetit ilegal në veri të vendit, del propozimi që nga emërtimi i Universitetit të Prishtinës Hasan Pishtina të hiqet emri i njërës nga figurat më të shquara të historisë kombëtare shqiptare, që është sinonim i shtetësisë sonë.
Nuk e di se ku i ka rrënjët kjo ide e mbrapsht dhe nuk dëshiroj të lëshohem në hipoteza. Mirëpo, nëse lëshojmë pe ndaj iniciativës që të heqim emrin e Hasan Prishtinës, personalitetit kombëtar që mishëron luftën për pavarësi të trojeve shqiptare, nuk duhet të habitemi kur njerëz të të njëjtës logjikë të propozojnë heqjen nga Kushtetuta e Kosovës të fjalës ´pavarësi’, me arsyetim se gjoja “krijon pasaktësi për shkak se në Preambulën e Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e atij shteti”!
Është koha të zhvishet qëllimi i vërtetë i nismës së lartpërmendur dhe të pamundësohet realizimi i saj!
Unë mbështes Fondacionin “Hasan Prishtina”, kuadrin pedagogjik dhe studentët e këtij universiteti që kanë dalë kundër iniciativës tejet të dëmshme dhe shumë të rrezikshme për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga emërtimi i Universitetit të Prishtinës.