Kush dëshiron të mësoj të vërtetën lakuriqe duhet ta lexoj këtë libër
Për librin e Bardhyl Mahmutit: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS (Në shënjestër të vazhdueshme)
Recension nga Ramë Buja
Ky libër i strukturuar në formë bashkëbisedimi në mes të Bardhyl Mahmutit përfaqësues politik e diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Muhamet Mavrajt kryeredaktor i gazetës “Epoka e re”, është një mrekulli vërtetësie për kohën kur u zhvilluan këto ngjarje gjurmëlënëse, të një epoke që trandi qarqet më të mëdha politike, diplomatike dhe ushtarake të globit dhe tani në kohën tonë kur këto ngjarje po rikujtohen keq dhe mbrapsht, për historinë dhe personazhet që ju prinë këtyre të ndodhurave që patën përmasa tragjike, heroike, liri e lavdisjellëse të gjenden prapa grilave, ky libër vjen si një mrekulli faktësjellëse.
Shkas u mor përkujtimi i 25 vjetorit të miratimit të Rezolutës 1199 të datës 16 Qershor të vitit 1998 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nxori në pah domosdoshmërinë e sqarimit të opinionit publik për zhvillimet politike dhe diplomatike, të cilat sollën deri në heqjen e cilësimit të UÇK-së si “organizatë terroriste”. Një pjesë e konsiderueshme e këtij bashkëbisedimi ishte publikuar më herët në gazetën “Epoka e re”, ndërsa tani në këtë libër janë përfshirë të gjitha temat që kanë të bëjnë me pasojat e mungesës së aktivitetit të mirëfilltë diplomatik të Kosovës pas përfundimit të luftës dhe në veçanti ato të kohëve të fundit.
Ka kaluar kohë shumë e gjatë (më shumë se një çerek shekulli) dhe është shumë vështirë të rikujtohen të ndodhurat e asaj kohe, sa do gjurmëlënëse të kenë qenë. I jam falënderues për jetë autorit apo rrëfyesit në këtë libër Z. Bardhyl Mahmuti për vërtetësinë rrëfimtare të pasqyruar në këtë libër, për të bërë të qartë, se çfarë në esencë ndodhi në Kosovë, rreth Kosove dhe për Kosovën, që krijoi epokë dhe transformim shoqëror jo vetëm në rajon por në mbarë globin. Për herë të parë pas një gjysmë shekulli ekzistence u vu në veprim struktura më e madhe politiko – ushtarake e botës NATO-ja, dhe atë pa e konsultuar fare Këshillin e Sigurimit të OKB-së, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë! Diçka që vështirë mund të mendohej, e lëre më të realizohej!
Ecuria bisedimore dhe rrëfyese fillon më dendur nga fitorja e jashtëzakonshme diplomatike e UÇK-së me Rezolutën 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kur lufta çlirimtare e popullit të Kosovës njihej në vërtetësinë e saj si çlirimtare, e shkon gjer tek Gjykata e Hagës, një gjykatë që nuk e ka parë historia e gjykatave të këtyre përmasave, asnjëherë dhe për asnjë rast. Gjykatat janë dhe do të duhej të jenë juridike dhe faktike, e jo siç është kjo, ekskluzivisht politike!
Në këtë libër të rrallë për nga vërtetësia, zë vend serioz, sqarimi i manipulimit të paskrupullt serb, për të vrarët, të rrëmbyerit dhe të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë, që i gjejmë në “Librat e bardhë” të tyre, në botime të vazhdueshme, vit pas viti, nga lufta e këndej. Gënjeshtra, manipulime, trillime, stisje e malverzime që fatkeqësisht shfrytëzohen edhe në Gjykatën e Hagës, kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krimet e bëra nga pjesëtarë të forcave të armatosura ushtarake dhe policore serbe me uniforma të UÇK-së tani më janë të ditura botërisht edhe pse edhe me to bëhet lojë në këtë gjykatë. Do të duhej të ishte e mjaftueshme dëshmia e pranuar nga vet liderët serb të asaj kohe për vrasjen zezonë të gjashtë të rinjve në kafenenë “Panda” në Pejë, me qëllim që ky krim t’iu atribuohet shqiptarëve, UÇK-së, siç bënë atëherë dhe në vazhdimësi. E ishte e ditur, që në platformën çlirimtare të UÇK-së nuk figuronte diçka e tillë. Lufta e UÇK-së kishte një synim të vetëm: çlirimin e atdheut nga pushtuesi shekullor serb, e asesi të merrej me civilët serb që nuk mbanin faj mbi supet e tyre.
Autori në këtë libër sqaron, përveç të tjerash, edhe termin e shumë përdorur “ilegal” që e gjejmë në shkrimet gjithandej shqiptarisë për veprimet e fshehta të grupeve të ndryshme të organizuara kundër pushtuesve.
Gjen sqarim këtu edhe termi dhe funksioni i “Drejtorisë politike” të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, për dikë e qëndrueshme dhe funksionale në përputhje me rrethanat e kohës dhe për të tjerët, term dhe veprim i stisur, andaj këtu e merr sqarimin dhe përgjigjen meritore.
Përshkrimi i takimit të parë të përfaqësuesve të UÇK-së me diplomatë amerikanë është i jashtëzakonshëm, emocional, mbresëlënës në skajshmëri, jo vetëm për veçantinë por për peshën dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që mendohej se do të kishte dhe në esencë e pati për tërë rrjedhën e mbarë të mëtejme të Luftës Çlirimtare të UÇK-së. ‘UÇK-ja nuk është organizatë terroriste, por ushtri që lufton kundër një ushtrie tjetër’, kështu u tha nga diplomatë amerikanë të asaj kohe pas këtyre takimeve njohëse dhe sqaruese gjer në fund për luftën tonë çlirimtare.
Ka qen e pamundur t’i shmanget autori një “mrekullie tragjike” siç ishte e ndodhura, jo e rastësishme dhe tërësisht e veçantë në luftërat kudo në glob, siç ishte ajo e familjes JASHARI të Prekazit të Drenicës, sakrifica e tyre e vetëdijshme për atdhe e liri! Përshkrimi rrëfyes që i bëhet kësaj qëndrese krejtësisht të rrallë është po ashtu krejtësisht i rrallë.
Krimi i gjenocidit në Reçak dhe Konferenca Ndërkombëtare në Rambuje, zënë vendin meritor në libër, zënë atë vend që e gjen të krahasuar me ndikimin që patën në rrjedhën e ngjarjeve dhe peshën që rëndoi të ndodhurat e më pastajme në luftën e Kosovës.
Këtu në këtë libër, nuk ka se si të mos gjej vend edhe loja rreth përfaqësimit të UÇK-së në Konferencën e Rambujesë, që ishte një plojë e çuditshme, që u sqarua përfundimisht nga Bardhyli. Sqarime këto që kishin të bënin edhe me presionet ndaj delegacionit dhe spekulimet nga më monstruozet që bëheshin për Konferencën.
Si rrëfim do të ishte tërësisht i mangët, po të mos flitej këtu edhe për përfundimin e luftës dhe Qeverinë e Përkohshme, që vjen si rezultat i një marrëveshje që kishte ndodhur në Kështjellën e Rambujesë nga vet delegacioni i Kosovës, që fatkeqësisht nga një pjesë e ti nuk u respektua dhe mungesa e këtij konsensusi politik në Kosovë e la atë pa institucione drejtuese të qëndrueshme. Këtu në këtë fazë sqarohet edhe transformimi i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së), roli, funksioni, ndikimi i saj në tërë procesin para luftarak dhe luftarak në Kosovë.
Është tej habisë, që propaganda serbe, edhe sulmet e 11 Shtatorit 2001 në SHBA, përpiqet ti ndërlidhë me UÇK-në dhe Bin Ladenin, rrëfen autori.
Ndërsa kulmi i trillit dhe stisjes është raporti i Dick Martit dhe ndërhyrja e NATO-s mbi forcat pushtuese serbe, që flet qartë për qëndrimin pro rus e serb dhe anti amerikan të këtij qytetari të Zvivrrës europiane.
Nuk është fare më pak shqetësues rrëfimi për Carla Del Ponte-n dhe qëndrimin e saj për “Librat e bardhë” të Shërbimit Sekret Serb dhe për gënjeshtrat e paskrupullta për “trafikim organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë”. Monstruozitet vështirë i imagjinueshëm e lëre më të jetë i besueshëm. Gjë për të cilën folën hetimet shumë të gjata të mekanizmave më kredibil hetues ndërkombëtar, duke e dëshmuar të kundërtën e atyre trilleve ç’njerëzore. Dhe, megjithatë, gjykata që u themelua me qëllim zbardhjen e këtyre krimeve, vazhdon të jetë në veprim!!! Çfarë mund ti thuhet kësaj? Gjithçka, veç gjykatë jo!!
Është i habitshëm shumë edhe cilësimi shumë tendencioz i akuzës ndaj udhëheqësve të Luftës Çlirimtare të Popullit të Kosovës dhe UÇK-së si: “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”, o tempora o mores! Këtë cilësim nuk e patën në aktakuzat e tyre as kriminelët pushtues serb, ndërsa çlirimtarët po. Këta çlirimtar dhe lufta e tyre që u ndihmua nga shtetet më progresive dhe më demokratike të botës në krye me organizatën më të fuqishme politiko-ushtarake NATO-n!
Shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 Shkurt 2008, thotë autori, ishte motiv mobilizimi për Carla del Ponte-n dhe Dick Marty-n, në veçanti libri autobiografik i Carla Del Ponte-s, për të aktualizuar pretendimin për “trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë”. Elemente këto që i shërbyen Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, nën shtytjen dhe motivimin e rusëve dhe serbëve, për të aprovuar raport të veçantë për Kosovën. Kjo çështje e trimëroi diplomacinë serbe, sa e bëri që ta dërgoi çështjen e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Gjykatë, në të cilën morën përgjigjen meritore, kredibile dhe profesionale.
Pas vendimit të GJND-së dhe hetimeve të të thënave në raportin e Dick Marty-t, Serbia, siç thotë autori, përjetoi zhgënjim të madh, por nuk e pushoi në asnjë minutë aktivitetin kundër UÇK-së, Kosovës dhe përpjekjeve të sajë për t’u zhvilluar e konsoliduar në të gjitha lëmitë, si shtet i ri dhe demokratik.
Marrëzia e quajtur Raporti i Dick Marty-t, që dihet si përfundoi, bëri që në Kosovë të themelohej një Task- Forcë Speciale në EULEX për t’u marrë me këtë maskaradë shpifëse që po vazhdon të ketë edhe sot pasojat e saj. Por, tani, siç sqaron autori i këtij libri, dolën sheshit hartuesit e vërtetë të raportit që u quajt, Raporti i Dick Martyt, që në të vërtetë nuk ishte i ti. Si rezultat i këtij raporti u krijua Gjykata Speciale që vë në bankën e akuzës Luftën Çlirimtare të Popullit Shqiptar të Kosovës. Një padrejtësi që nuk e ka parë shekulli në përmasa të tilla. Ndiqen, akuzohen dhe mbahen të burgosur qe më shumë se katër vite udhëheqësit e një lufte çlirimtare, të dëshmuar dhe të mbështetur botërisht për drejtësinë e sajë. Ndërsa, mbeten të lirë ata që e shkaktuan dhe e frymëzuan atë.
Prishtinë, më: 08.01.2025 Ramë Buja
Ku mund ta gjeni librin?
Në Kosovë, lexuesit e intetresuar mund ta gjejnë në zyret e gazetës “Epoka e re”, që është botuese i këtij libri, në adresën: Sheshi “Nena Tereza”, rr. Edit Durham” nr.45 Prishtinë. Ndërkaq lexuesit që jetojnë në shtetet e demokracive perëndimore, librin mund ta sigurojnë nëpërmjet Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, https://kosovogenocide.com/